Xh. Zeneli:Shqipëria dhe Kosova duhet të kalojnë ne vepra konkrete ndaj shqiptarëve në Mal të Zi

0

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar këto ditë librin “Shqiptarët në Mal të Zi – popull i rrezikuar” të autorit Xheladin Zeneli, kurse përurimi i librit u bë me 12 gusht në sallën e konferencave të Hotelit “Mediteran”  në praninë e një numri të madh te dashamirësve të fjalës së shkruar.

Në vazhdim mund të lexoni në tëresi fjalimin e zotëri Zenelit në natën e përurimit:

Zonja dhe zotërinj,vëllezër e motra,Dashamirë të librit dhe fjalës së lirë,

Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur !

Po e filloj me një thënie të një shkrimtari amerikan (Charles McCabe) i cili thotë: “Çdo kush mund të gjejë fakte por të shkruash opinione është art në vehte”.

Jam munduar dhe gjithënjë mundohem që përmes vështrimit dhe mendimit kritik dhe opinionist t’i qasem problemeve që preokupojnë sot shqiptarët në Mal të Zi, por që njëkohësisht duke shfrytëzuar kohë pas kohe edhe të dhënat apo shifrat zyrtare dhe jozyrtare që sot i kemi në dispunim.

Ashtu si libri im i parë , edhe ky libër ka për qëllim ndërgjegjësimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi, çështje kjo e cila sipas mendimit tim ,gjithënjë kërkon një vemendje të veçantë nga faktorët relevant kombëtar dhe ndërkombëtar dhe një përkujdesje me vepra konkrete nga ana e shtetit tonë amë për këtë pjesë të popullit të vet që jeton jasht kufirit administrativ të Shqipërisë londineze. Edhe përkundër disa arritjeve, unë mendoj se shqiptarët në Mal të Zi , si popull autokton, janë gjithënjë të rrezikuar në aspektin kombëtar dhe kjo dukuri shqetësuese është tema kryesore e librit tim të fundit.

Mjafton vetëm që ti hjedhim një shikim të dhënava demografike dhe të shohim shkallën e lartë të emigrimit, asimilimit dhe ndryshimit të strukturës kombëtare e vendbanimeve shqiptare në dëm të këtyre vendbanimeve.

Viteve të fundit janë rritur vizitat e përfaqësuesëve të Tiranës zyrtare në trevat shqiptare në Mal të Zi çka është për tu përshëndetur. Por nëse këto vizita nuk mbajnë në vehte vepra konkrete si dhe ndihmë dhe përkrahje specifike të cilat do të kishin efekt pozitiv në kultivimin dhe avancimin e stutusit kulturor, gjuhësor dhe edukativo-arsimor të shqiptarëve në Mal të Zi, atëherë si të tilla do ata e humbin efektin e vet.

Pra, shteti amë- Shqipëria por edhe Kosova duhet të kalojnë nga përkrahja e tyre deklarative në përkrahje me vepra konkrete ndaj shqiptarëve në Mal të Zi. Kontributi i qindra abetareve për nxënësit e shkollave shqipe në Mal të Zi si dhe mbështetja financiare që qeveria e Shqipërisë i dha Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, muajin e kaluar janë veprime simbolike dhe si të tilla nuk janë të mjaftueshëm të kenë një efekt afat gjatë dhe të qendrueshëm dhe se në këtë aspekt duhet bërë më shumë .

Janë të njohura investimet me projekte konkrete që për shembull Greqia dhe Serbia bëjnë për pakicat e veta në Shqipëri,respektivisht në Mal të Zi. Para pak viteve, qeveria e Serbisë përmes një investimi konkret dëshmoi përkujdesjen e saj për pakicën serbe duke ndarë 3.4 milion euro për ndërtimin e qendrës kulturore në Podgoricë,qendër kjo e cila do të ketë për qëllim ruajtjen e trashigimisë kulturore të pakicës serbe në Mal të Zi.

Nuk e shoh arsyen se përse një vepër apo projekt të ngjajshëm ta realizojnë edhe shteti-amë Shqipëria ,për bashkëkombasit e vet, në një nga vendbanimet apo komunat me shumicë shqiptare në Mal të Zi.

Kur flitet për kontributin dhe ndihmën konkrete nuk mund të mos përmendet roli i diasporës shqiptare, në veçanti roli i diasporës shqiptare në SHBA e cila përmes formave të aksioneve humanitare, investimeve në infrastrukturë, ndërtimin e objekteve të ndryshme të kulturës dhe të arsimit(shkollave),përkrahjen financiare, përmes bursave, e studentëve shqiptarë në vendlidje etj. kanë ndikuar në lehtësimin e gjendjes ekonomike të bashkëvendasëve të tyre. Pra, diaspora shqiptare në SHBA,përkatësisht shoqatat dhe fondacionet shqiptare të cilët rreth vehtes grumbullojnë anëtarë me prejardhje nga trojet e tyre etnike në Mal të Zi, gjatë dy-tre dekadave të fundit kanë kontribuar në mënyra të ndryshme që u cekën më lart, me vlerë prej disa miliona dollarë dhe përkushtimi i përhershëm i saj mund të shërbejë si shembull i përkujdesjes së një diaspore ndaj vendit të vet.

Por megjthate, rolin strategjik dhe detyrën kombëtare të shtetit-amë,Shqipërisë,por edhe të Kosovës,lidhur me përkujdesjen ndaj asaj pjese të popullit të vet që jeton jashtë kufirit të tyre administrativ,respektivisht të shqiptarëve në Mal të Zi, nuk mund ta zëvendësoi askush.

Është nevojë dhe domosdoshmëri e kohës që në suaza të ushtrimit të së drejtës së vet kushtetuese, dy qeveritë e shteteve tona,përmes një strategjie kombëtare,të angazhohen drejtëpërdrejti në përkujdesjen e bashkëkombasëve të vet.

Çdo fuqi e jona njerëzore, intelektuale,ekonomike dhe politike duhet të shfrytëzohet vetëm për një qëllim: RUAJTJEN, KULTIVIMIN DHE AVANCIMIN E GJUHËS, IDENTITETIT DHE QËNIES SË ETNISË SHQIPTARE NË PËRGJITHËSI , NË TREVAT SHQIPTARE NË MAL TË ZI !

Dhe në fund,

Dëshiroj që me këtë rast, për punën e tyre, të falenderoj ekipin botues të librit, me këtë përbërje:Dr. Nail Draga, redaktor, i cili njëherit ka meritat për përgatitjen, kordinimin e procesit të botimit si dhe organizimin e këtij promovimi.Pastaj, Gazmend Çitaku, redaktor teknik,Prof. Nepe Peraj, lektore, Bretan Zeneli, dizenjimi i kopertinës dhe dy recenzentët:Ali Salaj dhe Robert Camaj si dhe botuesin , Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “ Art-Club” në Ulqin dhe kryetarin e kësaj shoqate, z. Ismet Kallaba, si dhe moderatorin e kësaj mbmjeje, z. Shefqet Luca.

Ju falenderoj për vëmendjen!

Xheladin Zeneli 12 Gusht 2019 Ulqin

Share.

Leave A Reply