Vazhdon situata e tensionuar politike në Budva

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në qytetin e Budvës edhe sot kanë vazhduar tensionet politike, të cilët në disa momente kanë qenë në prag të konfliktit fizik. Sigurimi privat i angazhuar nga zyrtarët e rinj të zgjedhur nga opozita e mëparshme kanë ndaluar hyrjen në ndërtesën e komunës, përveç për të punësuarit që ndodheshin në listë. Para ndërtesës gjatë gjithë kohës kanë qenë të mbledhur një numër i qytetarëve të cilët kanë hedhur parulla kundër pozitës së re, kurse disa prej tyre edhe kanë tentuar të hyjnë nga ana e pasme e ndërtesës, por u ndaluan nga policia. Kryetari i zgjedhur nga shumica e re, Vlladimir Bullatoviq, nuk arriti të hyjë në vendin e punës pasi pritej nga turma e qytetarëve, dhe si masë sigurie u transportua në ambientet e Degës së policisë në këtë qytet. Së bashku me qytetarët ndodhen edhe një numër i zyrtarëve të Frontit Demokratik dhe Demokratëve të Malit të Zi, të cilët po ashtu kanë tentuar të hyjnë në ndërtesën e Komunës. Ato u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen çdo ditë dhe të mos lëshojnë pe, por të jenë të vendosur për të ruajtur vullnetin e popullit. Më pas policia u kërkoi qytetarëve që të shpërndahen, dhe pas refuzimit hodhi edhe gaz lotsjellës. Mediat raportojnë se policia ka arrestuar edhe ish kryetarin e qyteti Marko Careviq, si dhe disa zyrtar të subjekteve të tjera politike.

Share.