URA: Kërcënohet siguria e Abazoviq

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kryetarit të Lëvizjes Qytetare URA Dritan Abazoviq,  i kërcënohet siguria. Kjo u bë e ditur në konferencën e sotme për media të këtij subjekti. Drejtori ekzekutiv, Zoran Mikiq, njoftoi se ata kanë informacione sipas të cilave një klan kriminal nga rajoni dëshiron të rrezikojë jetën e Abazoviq. Mikiq shtoi se kryetari i URA-s kishte pasur dhjetëra kërcënime në rrjetet sociale dhe përmes telefonit që nga zgjedhjet e 30 gushtit, si dhe tubime para shtëpisë familjare në Ulqin, prandaj ata kërkuan një vlerësim të sigurisë së tij. Deri më sot, tha ai,  nuk kanë marrë përgjigje nga policia dhe Agjencia për Siguri Kombëtare. “Kemi informacion se një klan rajonal kriminal dëshiron të rrezikojë drejtpërdrejt jetën e tij dhe të familjes së tij. Bëhet falë për klan që kryen aktivitete jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në vendet e rajonit,” tha Mikiq, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për klane nga Mali i Zi. Nga ky subjekt thonë se nuk duan të akuzojnë askënd ose të vendosin dikë në shënjestër, por e kanë parë si detyrim të informojnë publikun në lidhje me informacionet që disponojnë. “. Nëse diçka i ndodh atij ose familjes së tij, ose dikush përpiqet t’i rrezikojë jetën ose sigurinë , drejtori i Drejtorisë së Policisë do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë” tha Mikiq, duke shtuar se asnjë klan kriminal dhe qendër joformale e pushtetit nuk do të jetë më e fortë se shteti i Malit të Zi. Nënkryetari i URA-s, Millosh Konatar , tha se policia nuk ka reaguar për kërcënimet e shumta ndaj Abazoviq përmes rrjeteve sociale dhe presin që Drejtoria e Policisë të fillojë të  kryejë detyrën e saj në mënyrë profesionale. “Ne nuk morëm përgjigje për letrat që dërguam. Kjo tregon mjaftueshëm se sa seriozisht ata marrin gjithçka që lidhet me sigurinë e  Abazoviq,” tha ndër të tjera Konatar. Lidhur më kërcënimet ndaj tij, Abazoviq më herët foli në një intervistë për Face TV, ku konfirmoi se pas zgjedhjeve ka marrë kërcënime nga grupe kriminale, por pa dhënë emra konkret.

Share.