Ulqini pa organizim të Vitit të Ri. Pronarët e lokaleve të pakënaqur me pushtetin lokal

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Për dallim nga qytetet e tjera bregdetare, Ulqini as këtë vit nuk organizoi pritje të Vitit të Ri. Të vetmit që organizuan diçka ishin pronarët e lokaleve ku qytetarët dhe turistët patën mundësi të shijojnë pak atmosferën festive. Pronarët nuk ngurruan të shprehin pakënaqësinë e tyre me pushtetin lokal dhe pamundësinë e tyre që të organizojnë diçka për të tërhequr mysafirë për festat e fundvitit. Shaqir Molliq, qiramarrësi i hotelit “Continental”, tha për TV Teuta se nata e Vitit të Ri ishte katastrofale sa i përket prezencës në Ranë, edhe pse ata si hotelier kanë arritur të organizojnë diçka në regjinë e vet. Edhe Hasan Karamanaga, pronar i hotelit  “Plaza”, thotë se nuk sheh asnjë arsye se pse turistët duhej të vizitonin Ulqinin për festat e fundivitit, pasi nuk kishte asgjë të organizuar. Nga targat e makinave mund të vërehej qartë se mysafirët nga jashtë ishin të pakët, dhe se një pjesë e madhe vazhdojnë për Budva dhe Dubrovnik, thotë Karamanaga. Arsyet për të mos organizuar asgjë për festat e fundvitit nga qeverisja lokale nuk janë kumtuar zyrtarisht asnjëherë, kurse nga Organizata turistike e qytetit, edhe pse u janë dërguar kërkesa për informacion, asnjëherë nuk janë përgjigjur.

Share.