UDSH:KUMTESË PËR OPINION LIDHUR ME DENIMIN E NDERMARRJES ALLAJ

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Turpërimit nuk i duket fundi! Në vend të apologjisë kërcasin dënimet, dënimi për tifozin e Shqipërisë i cili ishte në kthim nga Kampionati evropian, dënimi për lokalin ku brohoritej për përfaqësuesen e Shqipërisë në futboll.

Çka do të kemi pas kësaj zotërinj pyetemi me të drejtë? Cilat janë mesazhet drejtuar Shqiptarëve në Mal të Zi? Mos është kjo rastësisht përgjigja drejtuar Ilir Metës (kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë) i cili dekoroi kryeministrin e Malit të Zi (ju neve dekorata, ne bashkëkombësve tuaj dënime)?

Zgjohuni zotërinj sepse jeni vonë me kohën. Mali i Zi që para dy dekadash, në kohën e momenteve më të vështira për të dhe tërë Ballkanin jugperëndimor, diti të krijojë miq nga pakicat e veta. Sot ky vend në organet e veta ligjvënëse dhe hetuese po kultivon nostalgjikët e kohëve të errëta dhe prapavajtëse.

Në vend që të mësoni nga gabimet e të tjerëve, ju me ngulm po i përsërisni gabimet e tyre. Me mend në kokë zotërinj dhe mos vraponi drejt politikave të dështuara të cilat nuk sjellin asgjë të mirë. Zgjeroni horizontet dhe kuptoni njëherë e mirë që flamuri shqiptar nuk mund të arrestohet e as të dënohet.

Unioni demokratik i Shqiptarëve fton organet ligjvënëse dhe hetuese në Mal të Zi, si dhe të gjithë njerëzit e mençur dhe qëllimmirë që të reagojnë ndaj këtyre akte drejtuar kundër popullatës Shqiptare sepse, fundja, Shqiptarët nuk kërkojnë që të ju falet asgjë, por vetëm atë çfarë Kushtetuta e këtij vendi i garanton.

Shërbimi për informim i UDSH-së

Share.