Tomë Berishaj botoi përmbledhjen me poezi “ Rruga e humbur”

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Gjekë Gjonaj

 

Mërgimtari nga Malësia,  Tomë Berishaj, i cili jeton në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është paraqitur këto ditë para lexuesit me përmbledhjen me poezi “ Rruga e humbur”.

Ky vëllim poetik përbëhet nga 109 poezi të ndara në tri cikle: “ Qëndroni shqiptarisht”,  “ Duaje vendlindjen” dhe “Personalitete të njohura”.

Në poezitë e tij Berishaj shpreh  shqetësimin për fatin e hidhur  që ka kaluar populli shqiptar nëpër shekuj, padrejtësitë që u janë bërë shqiptarëve nga Fuqitë e Mëdha,  përpjekjet  e regjimeve të huaja për asimilimin dhe shkombëtarizimin e historisë, trashëgimisë kulturore dhe identitetit tonë kombëtar.

Përveç kësaj Berishaj,  temë të dhimbshme të kombit tonë në këtë vëllim poetik, ka  trajtuar edhe vendlindjen, folenë e tij më të ngrohtë, identitetin  e saj, për të cilën  malësorët  kanë dhënë më të shtrenjtën e tyre – jetën.

Në poezitë e këtij libri dominon motivi patriotik që është preokupim i autorit që i këndon atdheut, heronjve  dhe figurave të ndryshme  të popullit tonë.

Berishaj  poezitë e tija i bazon edhe në faktin se personalitetet e njohura shqiptare, të cilëve u thur vargje  janë burim i krenarisë dhe i lavdisë kombëtare.

Këto figura nëpërmes këtyre poezive bëhen kujtesë historike, motiv i fuqishëm letrar dhe shprehje e mallit dhe e dhembjes së thellë njerëzore.

Tomë Berishaj ka botuar deri tani katër libra me prozë e poezi: “ Duhma e Cemit”, “Gurgullima e valëve të Cemit”, “ Jazi i shembur” dhe “Rruga e humbur”.

Libri, që ia kushtoi vëllait Gjeloshit,  është botuar nga djemtë e autorit, Gjoni dhe Paloka.

 

Share.