Të jetojmë shëndetshëm , pa droga

Pinterest LinkedIn Tumblr +

 

Shkruan: Gjekë Gjonaj

Përdorimi i drogave   në shoqëritë e sotme, veçmas ato të tranzicionit,  tashmë është përshpejtuar me një shpejtësi  sa që ende nuk posedojmë  shifra të sakta. Zhvillimi i jetës  bashkëkohore në njërën anë ka mundësuar individit një liri më të madhe  se sa më heret , kurse në anën tjetër kjo liri ka bërë që  njeriu të mbyllet shumë në veten e tij, të bëhet më i izoluar. Domethënë keqkuptimi i konceptit të lirisë, pluralizmit e të tjera ka bërë që edhe koncepti i familjes tradicionale të ndryshojë, sikurse edhe raporti  në mes të prindërve dhe fëmijëve të jetë shumëherë më i zbehur se më parë.  Mund të thuhet tek familjet tona ka filluar të bie edhe “ solidariteti social”, që ekzistonte dikur dhe të zëvendësohet me një  individulaizëm më të  lartë.  Ardhja e mikro-kulturave, ballafaqimi me sub-kultura të ndryshme, migrimet fshat-qytet dhe elemente të tjera  kanë ndikuar në masë të madhe   në sjelljet devijante  jo të pakta të një pjese të popullatës, veçmas tek përdorimi i drogës si një dukuri negative shoqërore. Hulumtimet e pakta të deritashme rreth përdorimit  të drogës në Mal të Zi  janë shqetësuese  për të mos thënë edhe alarmante. Po kaq të frikshme janë edhe  të dhënat që kohë më parë  i ka bërë publike  OJQ “ Horizontui i Ri” në një anketim për drogën, ku thuhet:  “DROGA është këtu mes nesh, në shkollat tona, te të rinjtë e Ulqinit”. Shtrohet pyetja? Çfarë kanë bërë institucionet tona për parandalimin e këtij fenomeni? Sa kanë krijuar politika për sensibilizimin e vetë të rinjëve tanë  lidhur me këtë dukuri ?  Pasi që të rinjtë janë ata që më së shumti konsumojnë këtë dukuri negative. Dihet se deri më tani, përveç disa konferencave për shtyp nuk ka ndonjë iniciativë e cila do të vlente të përmendet. Vlen të theksohet se përdoruesit më të mëdhenj janë të rinjtë, e sidomos adoleshentët, por një pjesë e tyre i takon gjinisë femërore që në të vërtet paraqet një kancer për shoqërinë tonë. Po të referohemi vetëm një vëzhgimi të thjesht në terren, shohim se  ka grupe të të rinjve të cilët grupohen dhe argëtohen me narkotikë, sa që shpesh tek qytetarët mund të krijohet edhe një lloj pasigurie, sepse në disa raste nga përdorimi i drogës munden shumë lehtë që gjërat të dalin nga kontrolli, dhe të marrin forma tjera. Prandaj ka ardhur koha, nëse nuk jemi vonuar, që të paktën  të parandalojmë këtë dukuri negative e cila përbën një kancer për vetë shoqërinë.  Në këtë drejtim duhet që së pari roli i prindit të jetë më praktik dhe të zhvillojë komunikime, biseda më shumë me fëmijën e tij, në mënyrë që të kemi një pragmatizëm komunikativ drejt sensibilizimit të vetë fëmijës për këtë dukuri më herët se sa kur të hynë në lojë. Pastaj sensibilizimi i vetë opinionit të gjerë lidhur me këtë dukuri negative, hartimi i projekteve konkrete nga organet përgjegjëse, në mënyrë që të rinjve t’u mundësohen kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve, në mënyrë që të shmangen kësaj dukurie. Media të ketë një rol më konstruktiv, pragmatik dhe të krijojë programe më shumë për këtë dukuri. OJQ-të e ndryshme që janë në Mal të Zi të merren më seriozisht me luftimin e kësaj dukurie negative, të krijohen aktivitete më shumë për rininë. Shkollat të luajnë rolin e tyre në edukimin dhe sensibilizimin e nxënësve etj. Qeveria e Malit të Zi në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin e Shëndetit Publik, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe sektorit civil duhet të bëjë përpjekje më të mëdha se deri më tani që të përmirësojë situatën aktuale përmes parandalimit dhe luftimit të kësaj dukurie me qëllim të progresit drejt  integrimeve euro-atlantike, sikurse edhe të shpreh vullnetin për të bashkëpunuar me të gjitha shtetet dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë për të zvogëluar pasojat nga drogat.  Në këtë mënyrë do të ruhet shëndeti i  popullatës në Mal të Zi, të jetojnë shëndetshëm, pa droga  në mënyrë që ata   të jetojnë shëndetshëm , pa droga.

Duhet thënë se në strategjitë  e tyre për  parandalimin  dhe luftimin e drogave  përcaktohen qartë  objektivat e përgjithshme , objektivat specifike dhe aktivitetet për parandalimin, luftimin, dhe harmonizimin e veprimeve ndërinstitucionale vendore dhe ndërkombëtare për arritjen e objektivave të përcaktuara. Ah, sikur ato të jetësoheshin!?

Share.