Të jetojmë në dashuri, gëzim e harmoni

0

Gjekë Gjonaj

Besimtarët katolikë në Komunën e Ulqinit , ashtu si miliona të tjerë në të gjithë botën, javën që lamë pas festuan  Ringjalljen e Jezu Krishtit, ose siç njihet nga të gjithë Festën  e Pashkëve. Kjo festë, e cila  simbolizon ringjalljen e Krishtit, pas kryqëzimit të tij,  është festa më e shenjtë për besimtarët e krishterë.  Sipas Biblës, me ringjalljen e Krishtit , ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga Premtja e Madhe kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq në të Dielën e Pashkëve kur ringjallet.  Kjo festë shërben në forcimin e dashurisë  dhe respektit për njëri-tjetrin dhe kultivimin e tolerancës, si vlerë e demokracisë për ne dhe brezat qe do të vijnë.

 Mesazhi i don Gabrielit

 Në mesazhin e tij don  Gabriel Grabanica   për të gjithë besimtarët katolikë në veçanti dhe për gjithë popullin shqiptar uroi mbarësi shëndet e lumturi në këtë ditë feste, duke thënë  se ringjallja e Jezu Krishtit  qoftë gjithmonë rrugëtim i jetës së besimtarëve  të krishterë e katolikë dhe e të gjithë njerëzve vullnetmirë.    “ Ky mesazh  le t’i kalojë edhe  kufijt e qytetit të Ulqinit dhe vendit tonë. Të kalojë si mesazh urimi, si mesazh reflektimi, si mesazh bekimi për një jetë më dinjitoze, për një jetë më në harmoni, për një jetë më në dashuri me njëri-tjetrin. Sfidat e këtij shhekulli janë të ndryshme, por kjo festë le t’i mobilizojë forcat shpirtërore, intelektuale, fizike e shoqërore, që të gëzohemi së bashku, të festojmë  gjithmonë  në jetën tonë  së bashku , të jetë  gjithmonë  i pranishëm bekimi i Zotit,  të   vetëdijësohemi  për një jetë më të mirë shoqërore, për një jetë më të mirë  në mes njëri-tjetrit dhe së bashku të mundemi të japim  vlera të cilat i ka kjo festë – të jetojmë në dashuri,  gëzim e harmoni”, përfundoi urimin e tij  don Gabriel Grabanica

 

Meshët shenjte, bekimi i ushqimeve dhe ngjyrosja e vezëve

Kremtimi i Pashkëve filloi të enjten me meshët shenjte, me përkujtimin e darkës së m’rame të Krishtit me apostuj. Të premten janë mbajtur liturgjitë dhe përshpirtëritë e ndryshme fetare. Po këtë ditë besimtarët sipas traditës  kanë ngjyrosur vezët e kuqe. Të shtunën gjatë ditës është bërë bekimi  i ushqimeve në të gjitha kishat katolike të Ulqinit. Në mbrëmje të kësaj dite  është   celebruar mesha e ringjalljes, kurse të dielën janë celebruar meshët e festës së ringjalljes.   Famullitarët në prani të besimtarëve të tyre në meshët e ringjalljes së Krishtit bënë thirrje për paqe e shëndet, për harmoni dhe dashuri në mes njerëzve.

 Kënaqësia e përbashkët e kësaj feste

Besimtarëve katolikë   për këtë festë u janë bashkangjitur edhe  qytetarët e besimit islam dhe ortodoks, duke ndarë së bashku kënaqësinë e kësaj feste, duke kryer vizita të ndërsjellta , duke uruar njëri-tjetrin dhe duke marrë dhuratë vezë  të  kuqe. Kjo traditë e  tolerancës , mirëkuptimit dhe  harmonise fetare  kultivohet në Ulqin me shkekuj dhe  është vlerë e cila duhet të përcillet nga brezi në brez. Atmosferën festive e kanë  pasuruar edhe tryezat ( tavolinat)  me lloj-lloj ushqimesh e pijesh. Kjo festë konfirmoi edhe një herë solidaritetin tonë kombëtar e shoqëror , bashkëpunimin dhe  bashkëjetesën shembulllore midis komuniteteve të ndryshme fetare dhe jo fetare në Komunën e Ulqinit.

Politika uron

Politikanët e Ulqinit u kanë uruar besimtarëve katolikë këtë ditë  të shënuar gëzimi e shprese, që sjellë nevojën për më shumë harmoni dhe paqe te secili. Ata në këtë atmosferë feste , duke  vlerësuar harmoninë  fetare  shekullore në këtë komunë ,  bënë thirrje   për të forcuar akoma më tej harmoninë me njëri –tjetrin, por edhe besimin në rikthimin e gjithësecilit tek vlerat shpirtërore si një pasuri që duhet trashëguar brez pas brezi.

Kreshmet 

Pashkët janë paraprirë nga kreshma  që ka zgjatur shtatë javë ditë  për besimtarët katolikë  të cilët  e kanë privuar veten nga prodhimet shtazore.Ky agjërim ka filluar nga e mërkura e përhime dhe ka përfunduar të dielën e palmave , periudhë e cila kujton  ditët e kaluara në shkretëtirë  dhe Jezu Krishtin   në lutje dhe agjërim.

 Vlera e posaçme  e  Pashkëve të sivjetme

 Festa e Pashkëve sivjet ka një vlerë dhe përjetim të posaçëm jo vetëm tek besimtarët katolikë të Komunës së Ulqinit, por edhe të qyteteve  tjera me shqiptarë kudo ndodhen.  Sepse Nënë Tereza e Kalkutës, e cila  tërë jetën e saj ia kushtoi  ndihmës për të varfërit, do të bëhet shenjtore e Kishës Katolike, në një ceremoni  më  4 shtator 2016, ka njoftuar Papa Françesku pak kohë më parë  në një takim  të kardinalëve për të dhënë miratimin përfundimtar për shenjtërimin  e nobelistes  së parë shqiptare për paqe dhe humanistes së madhe, simbolit të bamirësisë ,  dashurisë vetëmohuese për njerëzit e vuajtur në gjithë globin. Miratimi i Papa Françeskut për shenjtërimin e Nënës Terezë është nder i jashtëzakonshëm për popullin tonë,  nga gjiri i të cilit doli  kjo murgeshë imcake  e cila në shekullin e kaluar qe simbol botëror i dashurisë së krishterë ndaj njerëzve më të lënë mbas dore dhe më të mjerë.

Share.