Solidariteti i Ulqinit për Kosovën: 100 mijë marka për ata që i dogji e i dëboi lufta

Pinterest LinkedIn Tumblr +

 Pse Kurban Bajrami gjithmonë ma kujton Ulqinin në 1998-tën?

Ulqinakët tradicionalisht therrin kurban, por e thyen traditën më 1998. Nuk therrën e as blenë kurbanë, por mblodhën para për t’i dërguar në Kosovë, në zonat që ishin më të prekura nga lufta dhe ku kishte më shumë të dëbuar.

 Sami Kika

PRISHTINË, 20 Korrik 2021 — Lufta kishte muaj që kishte filluar, e kishte djegur Drenicën e Dukagjinin. I madh ishte numri i shqiptarëve të zhvendosur në pjesë tjera të Kosovës ku ende nuk ishte përhapur zjarri i luftës. Nëse kam nostalgji për një gjë nga ajo kohë, atëherë është solidariteti dhe afërsia që treguan shqiptarët mes vete dhe gatishmëria për ta ndihmuar njëritjetrin. Sa herë që afrohet festa e Kurban Bajramit më bie ndër mend viti 1998, kur Ulqini i mblodhi e i çoi 100 mijë marka për Kosovë.

Nismëtarët e këtij aksionit Muharrem-Lemo Mollabeqiri, Nazif Cungu e Xhaudet Cakuli e takuan kryetarin e atëhershëm të Bashkësisë Islame të Ulqinit, mulla Rexhep Likën dhe e morën mbështetjen e tij për të mbledhur dhe dërguar para për kurbanë në Kosovë. Pasi e shpërndanë lajmin se po mblidhen para për Kosovën nga 30 marsi deri më 3 prill (brenda javës) ata mblodhën e dërguan këtë shumë në Prishtinë. Kishte edhe familje që dhuronin shuma për nga dy e tre kurbane.

Si dhëndër i Ulqinit dhe duke i njohur mirë organizatorët u përfshiva edhe vetë në pjesën e aksionit në Kosovë. Po ashtu, pasi prej vitesh po punoja për kompaninë Cungu (përfaqësia për Kosovë) dhe miqësia e hershme me Ulqin bëri që mua të më besohej dërgimi i mjeteve në Medresën Alauddin.

Mbaj mend se kisha shumë frikë se do të më kapte policia. Në secilin udhëkryq kishte policë që ndalonin kalimtarët dhe makinat, kontrollonin bagazhet dhe udhëtarët. Unë zgjodha mënyrën që t’i dërgoj disa herë nga rrugë të ndryshme dhe në shuma më të vogla, që edhe nëse do të kapesha dëmi të ishte më i vogël. Ecja në Pejton me 30 mijë markat e fundit të Kurban Bajramit kur e pash se policia e ndalte çdo makinë. U shqetësova dhe thash me vete: më mirë të më çojnë në polici, në burg e torturë, e ta kem një dëshmi për konfiskimin e mjeteve se sa t’i vidhnin policët për vete, aty për aty, në rrugë, pa më lënë asnjë dëshmi, se kështu do ta ngjallja dyshimin për vjedhje e do të koritesha. Kur më erdhi radha e kontrollit, polici më dha shenjë që të vazhdoja me sa duket pasi vozisja makinën me targa të Malit të Zi. Ashtu, i lehtësuar u takova me Sabro Byzykun nga Ulqini dhe bashkë u nisëm drejt Medresës Alauddin në Prishtinë te drejtori Naim Tërnava. Aksioni u krye me sukses.

Nuk kishte përfunduar me kaq ndihma e Ulqinit. Pak javë pas këtij aksioni vazhduan të arrijnë ndihmat tjera financiare. Këto ndihma i pata dorëzuar në Shtabin e Emergjencave të Republikës së Kosovës tek Ismajl Kastrati bashkë me doktorin e mirënjohur të Ulqinit Simë Dobreci.

Në kohën e luftës, një numër shumë i madh i kosovarëve gjetën strehimin, mikpritjen e ngrohtësinë tradicionale te familjet ulqinake. Sapo mbaroi lufta sërish u organizuan qytetarët e Ulqinit për t’i pritur fëmijët që kishin humbur anëtarë të familjes, për t’i ndihmuar që sado pak t’i harrojnë tmerret e luftës që i kishin përjetuar. Kur erdhën autobusët në stacion ishte tubuar një masë e madhe ulqinakësh me dëshirë të madhe për të marrë me vete sa më shumë fëmijë bonjakë që t’i kalojnë pushimet te ta. Shumica prej tyre për herë të parë po e shihnin detin.

Në kohën e luftës në Kosovë, i madh e i pakursyer ishte solidariteti mbarëshqiptar. Ulqinit dhe ulqinakëve pa dyshim i takon vendi i nderit për veprat që i kanë bërë.

Faleminderit Ulqin, zemra jote është ma e gjanë se deti! Bajramin me zemër t’mirë!

 *Duke i kërkuar falje atyre që nuk janë në këtë listë, pasi që nuk e kam listën e plotë, nuk mund t’i lë pa përmendur edhe Hydajet Kapllanbegun, Basro Millën e Faruk Byzykun.

 

Share.