SMAJL MUJA: NJË HISTORIK I SHKURTËR MBI INSTITUCIONET ISLAME NË KRAJË

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Aktivisti dhe besimtari i devotshëm, H. Smajl S. Muja, i ndarë nga jeta vitin e kaluar, ka lënë në dorëshkrim një material mbi historinë e Islamit dhe të institucioneve islame në trevën e Krajës. Shënimet e grumbulluara nga autori janë përgatitur dhe redaktuar për botim nga vëllai i tij, studiuesi Hajrudin S. Muja. Ato vijnë të përmbledhura në librin “Institucionet islame në Krajë (1602-2012)”, që përbën një historik të shkurtër mbi institucionet islame në Krajë.

Në hyrje të shënimeve autori ka shkruar: “I nderuari lexues, e pashë të nevojshme që me ndihmën e Zotit (xh. sh), të bëj një përmbledhje të xhamive dhe imamëve që kanë shërbye në xhamitë e trevës së Krajës. Kanë kalue qindra vite nga koha që u hapën xhamitë por kanë mbetë në errësirë të gjithë aktivistët e tyre, ndër to haxhinj, hafizë e dijetarë të cilët njëkohësisht kanë qenë edhe atdhetarë të flaktë, luftëtarë e madje edhe Shehitë në mbrojtje të fesë dhe të kombit. Për fat të keq, gjithë veprimtarinë e tyre e ka mbuluar pluhuri i harresës”.

Në parathënien e librit, redaktori Hajrudin S. Muja shprehet, mes tjerash: “Materialet që ka grumbulluar (autori) gjatë gjithë atyre viteve mendoj se janë të një rëndësie të veçantë për subjektin që trajtohet. Shumë nga këto të dhëna, ndonëse kanë qenë pjesë e jetës krajane, i ka mbuluar tërësisht pluhuri i harresës dhe nëse nuk gaboj, është prova e parë për t’i ndriçuar”.

Librit i paraprinë “Dy fjalë për autorin”, shkruar nga studiuesi Hamid Alaj. Duke u bazuar në literaturën ekzistuese dhe të dhënat gojore të vjelura prej të moshuarve, autori në libër na njeh me historikun e religjioneve në Krajë, duke përfshirë periudhën nga viti 1602 deri në vitin 2012, pastaj jep historikun e të gjitha xhamive në Krajë, si dhe biografitë e hoxhallarëve nga Kraja, të cilët kanë shërbyer në vendlindjen e tyre apo në vende të tjera.

Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, në kuadër të bibliotekës “Botime të veçanta”, kurse është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Ai është botim cilësor me lidhje të fortë. Redaktor i librit është Hajrudin S. Muja, recensent Irfan Kaca, lektor Ismet Kallaba, ndërsa redaktor teknik Qazim Muja.

Smajl Muja u lind në vitin 1959 në fshatin Ftjan të Krajës. Dashuria e madhe për dijen bëri që ndonëse kishte të mbaruar vetëm shkollën fillore për shkak të kushteve ekonomike, të vijojë vetedukimin. Në vitin 1989 filloi të ushtrojë detyrën e muezinit në Xhaminë e Ftjanit, kurse nga viti 2012 edhe detyrën e imamit në këtë xhami. Si kryetar dhe sekretar i Bashkësisë Islame të Krajës ka dhënë një kontribut të madh për grumbullimin e fondeve, ndërtimin dhe administrimin model të Qendrës Islame në Ostros të Krajës. Në vitin 2016 kreu obligimin e pelegrinazhit në Mekë duke marrë titullin fetar “Haxhi”. Vdiq më 31 tetor 2020.

Botimi i librit “Institucionet islame në Krajë (1602-2012)” është edhe një përkujtim dhe borxh moral për punën dhe veprimtarinë e madhe të autorit në shërbim të fesë, kombit dhe të komunitetit shoqëror në përgjithësi.

     Ulqin, më 10. 06. 2021                                                                        SHAI “Art Club”

 

Share.