Më shumë dashuri, respekt e vlerësim  për gratë

0

Tekst autorial nga Gjekë Gjonaj

Derisa mëngjesin e të martes po kaloja rrugës përballë  shkollës së mesme  në Ulqin trotuaret e mbushura me lloj-lloj lulesh e dhuratash  më sollën ndërmend festën e 8  marsit, ditën kur gratë duhet të mendojnë  për vete dhe për gratë e tjera, të reflektojnë  se pa marrë parasysh se cilës kulturë, nacionalitet i takojnë, janë gra dhe janë të njëjta. Simbolika e kësaj dite më kujton  në gratë fisnike e të pamposhtura të fshatit tim të lindjes – Trieshit, por edhe  ato  të  trevave tjera të Malësisë së Mbishkodrës, të cilat shekuj me radhë u përballuan me  ashpërsinë e jetës. Në kremten e Ditës Ndërkombëtare të Gruas mu kujtua fakti i hidhur   se  mbi supet e këtyre grave të rëndomta  fisnike shqiptare ( malësore) mbizotëroi  robëria mashkullore, varfëria për të rritur fëmijët, pesha e lotëve dhe padrejtësitë e shumta. Gratë e asaj kohe ishin  simbol i sakrificës dhe përkushtimit në shoqërinë shqiptare që ngritën  vlerat e edukatës nëpër breza. Ishin  ato zonja fshatare të cilat krahas punëve të shtëpisë punonin punët më të rënda  krah për krah me burrat . Ishin ato gra e vajza që  i binin shatit në arë nga mëngjesi  deri në darkë. Banin dru e ujë në shpinë. Kryenin edhe shumë punë tjera të rënda fizike.  Në këto rrethana  kënaqësinë e kësaj feste nuk e ndjenin,  nuk e shijonin dhe nuk e përjetonin. Festa e tyre kalonte pa dhurata. Jo pse nuk e meritonin, por sespe i takonim një shoqërie tejet patriarkale , ku gruaja është trajtuar siç thotë populli “ mos o Zot e ma keq” apo “ zi e ma zi” dhe është shfrytëzuar në mënyrën më mizore ( ç’njerëzore) , për të mos thënë më shtazore, njashtu si bagëtia dhe kafshë pune.

Në rrethana të këtilla gratë, nënat dhe motrat tona   kënaqeshin  me një urim zemre nga bashkëshorti, fëmijët , vëllezërit apo familjarët e tjerë   nëse kujtoheshin.  Fatmirësisht  gratë shqiptare  si   gur të çmuar  që shndritën shoqërinë shqiptare nuk u dorëzuan në asnjë çast para sfidave që ua imponoi tirania e jetës, duke e ruajtur dinjitetin dhe krenarinë e tyre përgjatë viteve. Sot në mileniumin e ri  gratë shqiptare për dallim nga ajo kohë e pakohë  kanë më shumë respekt, më shumë kujdes, më shumë liri, më shumë  vlera, më shumë të drejta. Roli i saj  është më i madh në shoqëri, ndonëse   ndihet  realiteti i dhimbshëm  i një patriarkalizmi që ende depërton dhe është i pranishëm  në venat e shoqërisë shqiptare, sikurse  edhe paragjykimet. Nëse gratë shqiptare dëshirojnë të jenë të barabarta  duhet në rend të parë të angazhohen më shumë dhe seriozisht në fuqizimin e tyre intelektual, në  aftësimin profesional, të mbështetën në vlera morale dhe njerëzore për arritjen e synimeve të tyre,  ta ngrisin zërin e tyre kundër dhunës,diskriminimit  e padrejtësive tjera që u bëhen edhe në shoqërinë  postmoderne.

Ne shqiptarët kudo që ndodhemi   në këtë ditë të bekuar për këto burrnesha   duhet të krenohemi për virtytet dhe vlerat e tyre që  nga mbretëresha Teutë e cila sundoi në vitet

230-228 para epokës së re, Mamica, motra e vogël e kryetrimit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, e madhja e Rilindjes sonë Kombëtare   Elena Gjika, nobelistja shqiptare, humainstja më e madhe  e njerëzimit Nënë Tereza  dhe   Shotë Galica, simboli i qëndresës së femrës shqiptare e deri tek figurat më të ndritura që përfaqësojnë femrën nëpër të gjitha  fushat e jetës politike, kulturore, shkencore, arsimore,  administrative e struktura të tjera të larta shtetërore e  ndërkombëtare.

Gratë dhe vajzat shqiptare e kenë merituar dhe e meritojnë respektin e shoqërisë. Ato nuk kërkojnë  t’u falet asgjë, përveç respektit dhe vendit që  e meritojnë. Kërkojnë sepse kanë të drejtë, t’u mundësohet dhe t’u lejohet të dëshmojnë afëtësitë e veta. Barazia gjinore nuk është lëmoshë. Ashtu sikurse edhe ne burrat, edhe gratë janë nga i njëjti brumë: mish, gjak e kockë. Në këtë ditë kremteje  gratë kërkojnë dhe presin nga ne meshkujt pak nderim, pak kujdes dhe më shumë dashuri për to. Kërkojnë  respekt për vlerat që përfaqësojnë si gra, si nëna dhe si intelektuale e profesioniste të afta.  Duan më shumë  se një lule apo  një dhuratë modeste, edhe pse 8 Marsi është thjesht ditë lulesh. Ato vërtetë e meritojnë këtë…

Share.