Shkollarët e vegjël  shqiptarë  të Jasenicës në vend të Abetares    mësonin Bukvarin

0

Shkruan:  Gjekë Gjonaj

Në vargun e vendbanimeve të banuara me shqiptarë në Komunën e Plavës është edhe fshati  Jasenicë, mjedis  i vogël, por piktoresk. Këtë fshat të harruar nga shteti  e kam vizituar për herë të parë në  fund të muajit tetor 1996. Panoramën e këtij mjedisi e zbukurojnë vargmalet e tij përreth qofshin edhe  me ajrin e pastër. Edhe  pse vetëm 8 kilometra nga Plava të shkohet  në Jasenicë nuk është aspak  e lehtë. Rruga që  e lidhte  fshatin  me Plavën asokohe ishte e paasfaltuar dhe  ishte vështirë të kalohet nëpër të, pasi  askush nuk kujdesej për mirëmbajtjen e saj. Në kushte të tilla pjesa dërmuese e fshatarëve udhëtonin  në këmbë, apo me kuaj. Më së vështiri e kishin shkollarët e vegjël të fshatit.  “ Fshati ka   6 nxënës filloristë. Ata mësimin   e ndjeknin në  shkollën fillore  në fshatin Hot, ku    mësimi zhvillohet në gjuhën serbokrate ( malazeze), pasi e kanë  ndërprerë shkollimin shqip. Në  shkollën e atjeshme katërklasëshe  nxënësit shqiptarë në vend të Abetares mësonin “Bukvarin”. Pas kryerjes se shkollës  katërklasëshe mësimin e ndjekin në Plavë, kurse nxënësit e mëparshëm që mësimin e ndjeknin në gjuhën shqipe shkollimin tetëvjeçar e kanë ndjekur  në Guci, 20 kilometra larg fshatit. Nxënësit udhëtojnë në këmbë”, na pat thënë njëri prej banorëve të këtushëm, i cili insistoi të mos i përmendet emri.

Mosqarkullimi i autobusit urban nuk ishte  i vetmi hall i këtyre bjeshkatarëve të vyeshëm. Mënyrën e jetesës ua vështirësonte  edhe mungesa e shtëpisë së shëndetit dhe shitorja. Për ta vizituar mjekun apo për t’u furnizuar me artikuj ushqimorë banorët e fshatit u duhej  mirë të  djersiten. Më së vështiri  na thanë fshatarët e kemi kur bie shi , me ç’rast pengesë të madhe paraqet balta. Ndërkaq kur është koha e thatë udhëtimin e vështirëson pluhuri. Megjithatë shumica e banorëve të Jasenicës i kanë mbetur besnik, vatrave të veta, ndonëse edhe këtu është i shprehur mërgimi. Prej 18 amvisërive sa numëronte dikur fshati tani këtu banojnë 13 amvisëri. Familja e parë që është shpërngulur këtu, siç na  informuan bashkëbiseduesit  më të vjetër të Jasenicës, është fisi  Selimaj. Menjëherë pas tyre strehim këtu gjetën vëllazëritë Rexhepagaj, Serdanaj, Rugova, Mehmedoviq dhe Lekiq.

Se në ç’mënyrë jetojnë këta banorë  na tregoi  Demë Selimaj.

“  Jasenica është vendi më i mirë për bagëti në krejt Malin e Zi, për lopë, për dele, për bletë, për gjtihçka. Këtu kultivohet  kollomoqi ( misri)  lakra, krompiri,( patatja) etj. Mirëpo toka punohet pak, e ajo do shumë punë.  Sivjet ka qenë thatësi e amdhe. Nuk kemi pas ujë me vaditë  arat. Kemi marrë  pak fryte, pak misër, pak sanë e pak otavë”, na tha  Selimaj.

Edhe ky dimër  që po afrohej  këta fshatarë  i kishte  gjetur  të papërgatitur. Por ata duke rrullur krahët na thanë se janë mësuar me plobleme të ngjashme dhe shtuan se  ndjehen të lënë pas dore nga ata që do të duhej të kujdeseshin për zgjidhjen e nevojave elemtare të fshatit.

Autoritet komunale të  Plavës , ku bie edhe Jasenica , po ashtu edhe ato qëndrore akoma nuk e kishin   parë të arsyeshme të bëjnë ndonjë investim kapital në Jasenicë, madje as nxënësve shqiptarë t’ua mundësojnë  mësimin në  gjuhës shqipe.

Share.