Serbia përdor kundër Kosovës gjuhën e urrejtjes të një niveli të paparë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Beogradi dhe Prishtina shkëmbyen akuza të ashpra në debatin e zakonshëm për Kosovën të zhvilluar të enjten pasdite në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.

Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, u përplasën sidomos rreth çështjes së kandidaturës së Kosovës për t’u pranuar në UNESCO, një votim që përfundoi me dështim për Prishtinën.

Në komentet e saj, zonja Çitaku, vendi i së cilës këtej e tutje do të përfaqësohet në këtë debat në nivel ambasadori, akuzoi Serbinë për fushatën kundër pranimit të Kosovës në UNESCO, duke e quajtur këtë fushatë “shumë brutale, të pandershme, faktikisht të pasaktë dhe madje raciste.” Nga Serbia, tha ajo, u përdor gjuha e urrejtjes e një niveli të paparë dhe të papranueshëm.

Ministri i Jashtëm serb i hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur agresive komentet e ambasadores. Ai tha se Serbia e do dialogun me Prishtinën jo sepse Kosova është e pavarur, por për të zgjidhur çështjet praktike mes dy palëve. Në debatin me tone të ashpra, ambasadorja e Kosovës i bëri thirrje Serbisë të mos ndryshojë, siç tha ajo, “faktet e historisë.”

Share.