SABRI SALAJ:QEVERISJE SIPAS MARREVESHTJES OSE ZGJEDHJE TE REJA

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Keshilltari i Forces se re demokratike, Sabri Salaj ka publikuar nje tekst autorial ne te cilin i vlereson mangesite e funksionimit te pushtetit aktual ne Ulqin, duke theksuar se duhet te kete zgjedhje te parakohshme nese nuk rrespektohet marreveshtja e koalicionit qeverises. Ne vazhdim mund te lexoni tekstin ne teresi:

 

Marrëveshja ndërmjet subjekteve politike shqiptare, për qeverisjen lokale në Ulqin, është një marrëveshje të cilën po ta shohësh, në parim dhe përmbajtje meriton të vlerësohet. Por nëse i bëjmë një analizë realizimit të pikave të kësaj marrëveshje gjatë vitit të parë të qeverisjes lokale, lehtë mund të konstatohet se ka shumë pak apo aspak çështje të dakorduara e të realizuara nga ajo marrëveshtje. Atëherë shtrohet pyetja përse duhet një marrëveshje politike apo thjesht për formalitet?

Duke vështruar veprimtarinë politike të subjekteve politike shqiptare dhe të kaluarën e tyre politike shumë lehtë mund të konstatohet se politikat e tyre shumë pak kurorëzohen më marrëveshje politike, por më tepër me folklore politike. Kjo kryesisht ndodhë për interesa të ngushta personale, interesave të ngushta të një grupi apo klani, karierizmit e shume e shumë dukurive të tjera tashmë të njohura. Këto interesa për një kastë të caktuar politikanësh tek ne janë më të rendësishme se sa përfaqësimi i interesave të qytetarëve apo zgjedhësve të tyre, të cilëve u kanë kërkuar votën duke bërë premtime nga më të ndryshmet . Mirëpo bërja e një politike të tillë nga subjektet politike shqiptare, pa një strategji apo vizion dhe pa një synim të caktuar se ku do të arrijmë, padyshim se na çon drejt një situate të pashpresë për të gjithë ne. Dhe më e keqja është vazhdimi i avazit të vjetër, i përçarjes në mes partive politike shqiptare i cili padyshim se vetëm do të fuqizojë partitë politike qytetare të cilat vazhdojnë të mbushen më shqiptarë.

Nëse ndalemi e mendojmë se në një vjetorin e qeverisjes lokale në Komunën e Ulqinit, është respektuar e realizuar shumë pak nga marrëveshja politike për veprim të përbashkët politik, atëherë natyrshëm shtrohet pyetja: përse kemi shkuar në zgjedhje? Cili është koncepti i zhvillimit të qytetit i kësaj qeverisje lokale dhe a egziston fare një koncept i tillë? Subjekti politik apo koalicioni i cili kërkon votën e qytetarit për të udhëheq, madje edhe me taksat e tyre duhet ta ketë një vizion apo strategji, si duhet të menaxhohet me burimet njerëzore dhe potencialet ekonomike të Komunës. Idea e koalicioneve, përgjithësisht konceptohet mbi bazën e parimeve dhe programeve konkrete politike,të përcjella me objektiva të qarta dhe afat të realizimit të atyre objektivave. Këto objektiva kryesisht klasifikohen në objektivat afatshkurtra , afat mesme dhe objektiva afatë gjata. Po pushteti aktual i komunës së Ulqinit, gjegjsisht ky koalicion, për cilat objektiva është përcaktuar, e nëse jo, a mendon për diçka të tillë?

 

Kuvendi i Komunës së Ulqinit si organi vendimarrës dhe llogaridhënës para qytetarëve, ka barrën kryesore të përgjegjësisë. Vendimet e aprovuara për interes të përgjithshëm në këtë kuvend, të cilat janë parësore për qytetarët e Komunës së Ulqinit, qëndrojnë kryesisht në letër , kurse vendimet e sjelluar për interesa më të ngushta e klienteliste janë në proces realizimi. Administrata e Komunës së Ulqinit si promotori kryesor i funksionimit të qeverisjes lokale, ndodhet pothuajse në prag të vdekjes klinike, e mbingarkuar, e dembelosur, e pa motivuar, tejet e politizuar, në masë të madhe joprofesionaliste, madje dukshëm edhe nepotiste.

Në vitin e dytë qeverisës , pushteti aktual ndodhët përballë sfidës së madhe. Reformat institucionale janë të domosdoshme. Mirëpo kjo kërkon vullnet, besim, bashkëpunim të ndërsjellë e të sinqertë dhe stabilitet politik. Subjektet politike të përfshira në koalicionin udhëheqës të komunës së Ulqinit, duhet patjetër të krijojnë grupet e punës dhe të nisin pa humbur kohë punën konkrete për rikomponim të marrëveshjes politike për veprim të përbashkët politik. Këtu gjithësesi duhet bërë analizën e vitit të pare të qeverisjes, duke përfshirë edhe analizën e punës së kuadrove udhëheqës në sektor të caktuar të pushtetit komunal, si dhe fillimin e reformave gjithëpërfshirëse institucionale në të gjitha organet, shërbimet e ndërmarrjet publike të Komunës së Ulqinit. Kuvendi duhet të themelojë Komisionin parlamentar i cili do merrej më mbikëqyrjen e vendimeve që miraton Kuvendi , ushtrimin e kontrrollit të vazhdueshëm mbi realizimin e këtyre vendimeve, duke i kërkuar llogari pushtetit ekzekutiv për realizimin ose jo të tyre. Kjo do të ndikojë në rritjen e përgjegjësisë së pushtetarëve lokal si dhe në promovimin e llogaridhënies para qytetarëve.

Nëse klasa politike aktuale në Ulqin, nuk e ka vullnetin që të gjejë zgjidhjen e duhur për funksionimin e pushtetit lokal në interes të qytetarëve të vet dhe mirëqenies së tyre, në përputhje me parimet e marrëveshjes politike për veprim të përbashkët politik të fillim vitit 2014, atëherë do të ishte më e ndershme dhe politikisht korekte, që mandati i tyre t’iu kthehet qytetarëve dhe të përgaditën zgjedhjet e reja.

Share.