Qeveria afgane dhe talibanët pajtohen për të vazhduar bisedimet për paqe

Pinterest LinkedIn Tumblr +

 Përfaqësuesit e Qeverisë afgane dhe talibanët, kanë dështuar që të arrijnë përparim të madh në raundin e fundit të negociatave në Doha, mirëpo janë pajtuar për t’u takuar sërish javën tjetër.

Përmes një deklarate pas dy ditëve bisedime në kryeqytetin e Katarit, të dyja delegacionet kanë thënë se “palët janë të përkushtuara për të vazhduar negociatat në nivelin më të lartë, derisa të arrihet ndonjë marrëveshje”.

Delegacioni qeveritar është udhëhequr nga Abdullah Abdullah, zyrtari i dytë më i lartë në Këshillin e Lartë për Pajtim Kombëtar.

Ekipi i talibanëve është udhëhequr nga figura e lartë, Mullah Abdul Ghani Baradar.

Bisedimet për paqe në Doha kanë qenë të bllokuara për disa muaj.

Ndërkohë, grupi militant ka nisur ofensivë, duke pushtuar një pjesë të madhe të territorit në Afganistan, teksa trupat ndërkombëtare largohen nga ky shtet.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

 

Share.