Qani Osmani: 28-NËNTORI-DITA E FLAMURIT

0

28 Nëntori është data më e ndritshme e Rilindjes sonë kombëtare në të gjithë historinë tonë. Kjo ditë e bekuar shënon momentin e ndarjes nga robëria e gjatë dhe mbetet simbol i sakrificës, bashkimit, unitetit dhe qëndresës së popullit shqiptar. Dita e Flamurit është festa e krenarisë sonë kombëtare, me traditën më të gjatë të kremtimit. Është festë e rimëkëmbjes së dinjitetit dhe forcimit të ndërgjegjes sonë kombëtare. 28 Nëntori gjithmonë na kujton sakrificën e shumë brezave, që sakrifikuan jetën e tyre për kombin dhe Flamurin duke i dhënë shpirtë historisë sonë. Andaj sot, të gjithë ne, me përkulje i kujtojmë gjeneratat dhe personalitetet kombëtare, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që e mbajtën gjallë indin tonë kombëtar në periudha të caktuara të historisë sonë.

Dita e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë është kurorizim i sakrivicës së vazhdueshme të më shumë gjeneratave ndër shekuj me synim krijimin e shtetit shqiptarë në trojet etnike shqiptare. Pikërisht falë kësaj sakrifice të madhe dhe ndihmës së faktorit ndërkombëtar më 28 Nëntorë para 107 viteve në Vlorë, Ismail Qemali me patriotët më të mëdhej të kohës shpallën pavarësinë e Shqipërisë, pavarësi kjo që u legjitimua ndërkombëtarisht në më pak se gjysma e tokave shqiptare.

Pavarësinë Shqipërisë në nëntorin e parë e shpalli Kryeheroi Ynë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kur në Krujë me 28 Nëntor të vitit 1443, e ngriti për herë të parë në historinë e këtij kombi Flamurin me Shqiponjën Dykrenare dhe me yllin gjashtëcepash në mes dy krenash, në Kalanë e Krujës. Skënderbeu, deri në vdekje luftoi me atë flamur në dorë dhe kurrë nuk diti për humbje. Ai flamur valoi i pamposhtur në Kalanë e Krujës dhe në kulla e kala të tjera arbërore, për 25 vjet, sa Kryeheroi Ynë udhëhoqi popullin dhe Shqipërin.

Kurse nëntori i dytë është më 28 Nëntorë të vitit 1912, në Vlorë ishin mbledhur patriotët dhe krerët e të gjitha krahinave shqiptare. Për shkak të pengesave gjatë rrugës Isë Boletini me mbi 10 mijë kalorës nga Kosova, kishte mbëritur vetëm të nesërmen. Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e shqipërisë dhe zgjodhi Qeverinë e parë të shtetit shqiptar. Kryetar i Kuvendit e natyrishtë edhe kryetar i parë i Qeverisë së shtetit Shqiptar, u zgjodh Ismail Qemali, i cili, kur po e ngriste Flamurin e qendisur nga Marigona, në fjalën e Tij solemne, ndër të tjera ka Thënë: “Fqinjtë tanë nuk duhet të gënjehen me lakmi, se shqiptari s’e duron robërinë. Historia e shekujve të kaluar e dëshmon këtë të vërtet. Ky truall është atdheu ynë. Ne e kemi gjuhën tonë, zakonet tona, kulturën tonë. Ndaj, sot, të mbledhur në këtë kuvend të madh historik, ne shprehim para gjithë botës vullnetn e popullit tonë sovran”.

Prandaj, Nëntori është muaji i shqiptarëve, muaji i flamurit. Sa herë që afrohet 28 Nëntori, mendja na fluturon te flamuri ynë Kuq e Zi, flamuri ynë i lyer me qak që sjell në kujtesën tonë përpjekjet, luftërat dhe fitoret tona. Na sjell në kujtesën tonë Epokën e lavdishme të Skenderbeut që me shekuj mbajti gjallë qëndresën, shpirtin dhe identitetin tonë kombëtar. U valvit pa u përkulur kurrë nëpër dallgët e stuhisë e historisë dhe më 28 Nëntor të vitit 1912, flamuri i Skenderbeut u ngrit në qiellin e Shqipërisë së saposhpallur shtet i pavarur. Vite më vonë mbi kokat e shqiponjës i vunë simbole të huaja ideologjike, por shqiponja nuk i duroi, i shpori se ia zinin frymën, ia zinin frymën Shqipërisë, popullit shqiptar. Pasi që, shqiponja dhe shqiptarët e duan vetëm lirinë dhe qiellin e kaltër mbi kokat e tyre.

Për shqiptarët nuk ka simbol më të shenjtë se flamuri ynë. Është ky flamur që na priu nëpër beteja të përgjakshme shumëshekullore në përpjekjet e popullit shqiptar për liri e pavarësi. Për këtë flamur dhe nën hijen e këtij flamuri e kanë flijuar jetën e tyre bijat dhe bijtë më të mirë të kombit tonë. Është ky flamuri i lirisë që mishëron e pasqyron shpirtin e pastër, karakterin e fortë dhe vlerat e larta morale e njerëzore të kombit tonë. Është ky flamur i bukur e hijerëndë që rrezaton pastërtin morale, dinjitetin, nderin e kombit shqiptar, sepse atë nuk e shemtojnë njollat e pushtimit të tokave të huaja, robërimit të popujve të tjerë.

Flamuri ynë është vetëm flamuri i lirisë! Është ky flamur që i mban së bashku të gjithë shqiptarët dhe të gjitha trojet tona padrejtësisht të ndara. Është kjo shqiponjë që nën krahët e saj të fuqishëm, me një ngrohtësi prej nëne i mbanë së bashku të gjitha bijet dhe bijtë e saj kudo që ndodhen në botë. Kjo është forca magjike e padukshme e flamurit tonë kombëtar.

Dita e flamurit kombëtar nuk është thjeshtë një festë si të gjithë të tjerat, por është edhe një amanet, një betim për të qenë gjithmonë të mbrojtur me idealin kombëtar, që shqiptaria dhe shqiptarët të ndihen të lirë, krenar dhe Zot në Trojet e veta. Për të kujtuar rrugën që e kemi kaluar për të ardhur deri te kjo ditë, rrugën tonë drejtë lirisë, rrugën e mundimshme, por të drejtë dhe të lavdishme. I madhërishëm qoftë edhe kujtimi për të gjithë martirët e kombit, atyre që dhanë gjithçka për lirinë e popullit shqiptar.

ZOTI E BEKOFT POPULLIN SHQIPTAR!

QANI  OSMANI

Share.