Q.Osmani: Mësuesi i sotëm dhe 7 Marsi

0

Për popullin shqiptar, një ndër datat me rëndësi kombëtare është 7 Marsi – Dita e Mësuesit, e cila shënohet si një ngjarje me shumë rëndësi kulturore dhe kombëtare në të gjitha trojet e banuara me shqiptarë. Kjo datë që e ka zanafillën e hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqipe, në fakt ka filluar të kujtohet që nga viti 1960, ku shteti shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjëtore shqipe të Korçës, më 7 mars të vitit 1887. Festa e mësuesit në rrafshin kombëtar shërben për t’i vlerësuar traditat më të mira të shkollës shqipe, pa dyshim edhe figurën e nderuar të mësuesit, por edhe gjithë punonjësve të arsimit si edukator të brezit të ri dhe si kontribues aktivë të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare.

Ata që sot janë më të moshuar i mbajnë mend ato kohëra kur mësuesit gëzonin “autoritet”, ishin njerëz që kishin respekt në shoqërinë shqiptare. Ishin kohëra kur populli ia hiqte kapelën mësuesit. Ngado që të sillej, mësuesi kishte vendin e nderit, kishte status. Ishte zotëri mësuesi dhe zonjë mësuesja, ata që qëndronin në ballë të betejës për mbrojtjen e identitetit kombëtar. Tash është ndryshe, krejtësisht ndryshe. Respekti u takon, jo mësuesve, por politikanëve të cilët kanë arritur te kolltuku, e si kanë arritur e dimë të gjithë, por s’e themi dot nga kjo ose ajo arsye.

Më kujtohen ditët e mia të rinisë, kur te mësuesi shihnim prindin tonë të dytë, dhe e dëgjonim gojëhapur çdo fjalë që ai e nxirrte nga goja, sikur të ishin florinj të çmueshëm. Tek ai shihnim udhërrëfyesin e jetës dhe fenerin e dritës që do të nxirrte nga errësira e tunelit, ndërsa qortimet e tij bashkë me “flakareshat” qëllimmira nuk na dëshpëronin aspak por përkundrazi na motivonin dhe na dukeshin më se të dobishme në rrugëtimin e ndërtimit të personalitetit tonë, dhe të ngritjes kulturore dhe kombëtare të popullit tonë të përvuajtur.

Vërtet tani parashtohet pyetja, a është festa e mësuesit, arsye për të festuar? Kur dihet se mësuesi i ditëve të sotme është i thyer, i nëpërkëmbur, i nënshtruar, i harruar nga politika, nga pushteti. Ai ditën e kalon duke u djersitur në mesin e nxënësve të cilët nuk mësojnë sepse e dinë se në fund të vitit do të shpërblehen me sukses të shkëlqyeshëm nga dora e padukshme. Aty, te notat e te suksesi, mësuesi i ditëve tona nuk ka pushtet. Mësuesit të sotëm i mbetet vetë mundi i derdhur.

Mësuesi i sotëm, pasdite i gjori është i detyruar të shkojë në shkollë pasi që është anëtarë i ndonjë nëndege për ndonjë çështje që lidhet me nevojat e shkollës, dhe që është kërkesë e vasalëve të tij, kurse natën e kalon para kompjuterit duke i drejtuar brirët e dashit në programet absurde të ditarëve elektronikë dhe të shkruarit e të ashtuquajturave Konspekte.

E gjithë kjo nëpërkëmbje dhe hallakamë e ka rrënuar mësuesin e sotëm. Ai është vazhdimisht në zgrip të deprisionit, me maninë e ndjekjes nga fantazmat që s’e lënë të qetë. Mësuesin e sotëm shpeshherë e sheh në ambulancë për shkak të nervave të shkatërruara, ndonjëherë duke i shkuar rreth e përqark tregut për të gjetur perime më të lira për dy pare.

Mësuesi i sotëm e pret stinën e verës të pushojë pak nga kontrollorët e ndryshëm të arsimit, ta heqë barrën e rëndë të burokracisë nga shpina, të pushojë nga nxënësit e painteresuar për mësim, nga indiferenca e tyre e patolerueshme, mirëpo shumëherë ndodh që urdhri nga Ministria e Arsimit është që mësuesi të shkojë në shkollë, edhe pse janë pushimet verore.

Mësuesi i sotëm në mos pastë punë, pushtetarëve dhe burokracisë i mjafton t’i dëgjojë zërat e hapave të mësuesit në korridor ose ta shohë nënshkrimin e tij. I duhen burokracisë hapat e mësuesit të munduar për shkaqe mazohiste, i duhet ky nënshkrim që të ketë mbulesë kur ta dënojnë mësuesin pse është vonuar në zbrazëtinë shurdhuese të shkollës që ka rënë në thellësinë e heshtjes verore.

Jehona e të vërtetës për mësuesin ka hasur gjithmon në veshë që s’kanë dashur të dëgjojnë, në sy që s’kanë dashur të lexojnë dhe në mendje që s’kanë dashur të kuptojnë! Por kjo nuk ka qenë dhe nuk është edhe sot arsye për të heshtur, sepse heshtja është dorëzim dhe pranim i dështimit. Edhe heshtja për gjendjen e mjerueshme dhe standardin jetësor të mësuesit të sotëm, i cili ballafaqohet me pamundësinë ekonomike për të arsimuar fëmijët e vet, kur njëkosishtë po arsimon dhe edukon për çdo ditë fëmijët e popullit, është bërë tashmë më e zëshme se kurrë!

Prandaj, mësuesit e sotëm kanë arsye jo vetëm për të festuar dhe për të kujtuar kontributin e tyre shoqëror, por kanë edhe arsye për të protestuar për trajtimin e tyre shoqëror dhe ekonomik që atyre ua bën sistemi dhe shoqëria. Kjo për shkakun se sistemi i ka katandisur ata që të detyrohen të bëjnë një punë të dytë madje edhe fizike që nganjëhere s’duket aq dinjitoze, por është i detyruar të bëjë këtë, sepse këtë ua kërkojnë fëmijët e tyre, të cilët gjithashtu duan vishen dhe të duken bukur, njësojë si bashkëmoshatarët e tyre, sepse edhe fëmijët e tyre duan njëlloj si fëmijët e “politikanëve” dhe “afaristëve” të suksesshëm dhe të afërt me pushtetin, të shkojnë në shkolla dhe univerzitete me vetura të shtrenjta dhe luksoze!

Si mundet mësuesi i sotëm t’ia siguroj fëmijës së vet, një jetë mesatare dhe modeste me një rrogë të afërt me rrogën minimale të punëtorit të krahut, dhe njëkosisht të mos protestojë zëshëm për këtë derexhe në të cilën e kanë sjellur mu nxënësit e tyre të deridjeshëm por jo edhe aq të shkëlqyeshëm, të cilët mangësinë e profesionalizmit të tyre, e kanë zëvendësuar me shkathtësinë e dallaverzimit dhe të servilizmit për të deportuar në jetë, përkrah pushtetarëve të “mëdhenj”, por të pangopur, të cilët po kujdesen vetëm për mirëqenien e rrethit të tyre të ngushtë.

Pra, kjo klasë politike në faktë mësuesin e sotëm e kanë detyruar të struket në një qoshe, të merret me vetveten, dhe të mos çoj zërin për dështimet e tyre politike, sepse mund t’u ndodhi edhe ma keq, sepse nëse e çon shumë “kokën” mund ta humbas edhe atë standard të vogël dhe modest që ia siguron rroga e një mësuesi dhe mos e ma keq, të përfundojë rrugëve, i përulur dhe i nënçmuar nga po ata të cilët kishte “guximin” vetëm t’i këshillonte dhe t’i qortonte nga pozita e tij e mësuesit të popullit.

Qani  Osmani

Share.