Pronarët e lokaleve në protestë. Kërkojnë hapjen sa më të shpejtë të bizneseve

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pronarët e lokaleve dhe restoraneve nga Ulqini, ashtu si edhe paralajmëruan, u mblodhën para ndërtesës së komunës në shenjë proteste për masat e Trupit Koordinues Nacional, të cilët sollën mbylljen e bizneseve të tyre. Ata janë të indinjuar se deri tek mbyllja e bizneseve ka ardhur si pasojë e neglizhencës së organeve kompetenete , kurse në anën tjetër objektet që sjellin rrezik edhe më të lartë epidemioligjik, si kazinotë apo bastoret, vazhdojnë të punojnë. Pronarët kërkojnë që tu lejohet të punojnë sa më shpejt, përndryshe do të marrin masa më radikale.

Asllan Llunji nga Shoqata e pronarëve të lokaleve të Ulqinit, tha se kioskat, pikat e karburantit dhe objekte të tjera po zevendësojnë lokalet dhe restoranet, duke prishur kështu balancimin ekonomik në qytet.

Në përkrahje të pronarëve doli edhe kryetari i komunës, Loro Nrekiq, i cili tha se mbyllja e lokaleve në Ulqin ka qenë një masë e panevojshme dhe e dëmshme për ekonominë e qytetit.

Pronarët e lokaleve nga ana e tyre e mirëpresin përkrahjen e qeverisjes lokale, por kanë vërejtje për angazhimin që ato kanë pasur në periudhën e kaluar. Situata thonë ata është alarmante dhe nuk mund të vazhdojnë më tej të jenë viktimë e situatës.

Sipas vendimit të Trupit Koordinues Nacional, lokalet dhe restoranet në Ulqin do të qëndrojnë të mbyllur edhe për një javë, por pronarët duan që vendimi për këtë të sillet më herët, pasi dëmi që atyre u rijohet rritet për çdo ditë që qëndrojnë të mbyllur. Nga ana tjetër situata epidemiologjike në Ulqin është e rëndë, bile edhe më e rëndë se sa tregojnë shifrat zyrtare, me qindra të infektuar edhe dhjetra të shtruar në spital, një pjesë e të cilëve edhe  e kanë humbur betejën me sëmundjen.

Share.