Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, laureat i Çmimit Tradicional të “Art Club”-it

0

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” shënoi sot 25-vjetorin e themelimit të saj, me ç’rast ka ndarë Çmimin Tradicional për arritje të jashtëzakonshme në shkencë, kulturë dhe art.

Pasi që ka analizuar rezultatet e arritura në fusha të ndryshme nga krijuesit dhe studiuesit shqiptarë në Mal të Zi, gjatë periudhës kohore 2013-2015, juria në përbërje: Gjekë Gjonaj, dr. Nexhad Avdiu dhe Qazim Muja, ka vendosur që Çmimi Tradiconal i “Art Club”-it t’i jepet prof. Dr. Hajrullah Koliqit, me motivacion “për kontributin e çmuar në fushën e studimeve të historisë së pedagogjisë shqiptare dhe botërore, e cila për  më se katër dekada  ndërlidhet  me jetën dhe punën e tij arsimore dhe pedagogjike, hartimin e teksteve universitare dhe monografive për personalitetet e arsimit kombëtar, sikurse edhe për veprimtarinë  kombëtare në shërbim të popullit dhe vendit të tij”.

Çmimi i SHAI “Art Club” është themeluar në vitin 1991 si Shpërblim Vjetor, kurse që nga viti 2009 jepet për çdo tri vjet. Këtë Çmim deri tani e kanë fituar: Rudi Goga, Dom Simon Filipaj, Basri Çapriqi, Asllan Bisha dhe redaksia e revistës “Fati”, Këshilli i Simpoziumit “Meshari i Gjon Buzukut – monument i kulturës shqiptare 1555-1995”, Ali Salaj, Nail Draga, Riza Rexha, Emin Halili, Cafo Boga, Bajram Rexha, Ruzhdi Ushaku, Gjelosh Gjokaj, Hajro Ulqinaku, Mehmet  Kraja, Fiqiri Hasanaga (pas vdekjes), Simë Dobreci dhe Hajrullah Koliqi. “Art Club”-i është subjekti i vetëm ndër shqiptarët në Mal të Zi, i cili ndan Çmim për krijuesit shqiptarë.

Në ceremoninë e organizuar është vlerësuar veprimtaria prej një çerek shekulli, duke nënvizuar se gjatë kësaj periudhe “Art Club”-i ka qenë aktori dhe subjekti më i rëndësishëm në promovimin e kulturës, letërsisë, artit dhe shkencës shqiptare në Malin e Zi. Në këtë kuadër, edhe viti 2015 paraqet vazhdim të punës së suksesshme të “Art Club” në ruajtjen dhe afirmimin e kulturës shqiptare në Mal të Zi.

Veprimtaria e gjithanshme dhe manifestimet e organizuara nga kjo shoqatë, siç është për shembull “Kalimera Poetike”, tashmë janë bërë të njohura në mbarë hapësirën shqiptare dhe më gjerë.

SHAI “Art Club” është themeluar më 28 dhjetor 1990 nga një grup i krijuesve dhe i intelektualëve të Ulqinit dhe përbën njërën prej organizatave joqeveritare më të vjetra jo vetëm në komunën e Ulqinit dhe ndër shqiptarët në Mal të Zi, por edhe në tërë Malin e Zi.

 

 

PROF. DR. HAJRULLAH KOLIQI – CV E SHKURTËR

 

Hajrullah Koliqi – u lind në Krajë në vitin 1946. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, shkollën normale në Prishtinë dhe studimet për pedagogji në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.

Është doktor i shkencave pedagogjike dhe mban titullin profesor universitar.

Në karrierën e tij profesionale ka punuar si mësimdhënës (në fillim si asistent e më pas profesor ordinar) në Departamentin e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës (1973-2011) dhe ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm në Departamentin e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik të Tetovës, nga viti 1995.

Tërë jeta e tij lidhet me arsimin dhe pedagogjinë, fusha ku ka dhënë një kontribut të çmuar, qoftë si pedagog universitar në edukimin e brezave të mësuesve të rinj, por edhe në hartimin e teksteve universitare dhe monografive kushtuar personaliteteve të arsimit kombëtar, pa harruar për asnjë moment vendlindjen e tij, së cilës i ka kushtuar një pjesë të studimeve.

Është autor i këtyre veprave dhe teksteve universitare:

  1. Aleksandër Xhuvani – puna edukativo-arsimore dhe pikëpamjet pedagogjike (1987);
  2. Andragogjia (1987, plotësuar dhe ribotuar më 1990);
  3. Kraja ndër mote (1993);
  4. Mbijetesa e Universitetit të Prishtinës 1991-1994 (1995);
  5. Gjendja dhe pozita e arsimit shqip në Kosovë në periudhën 1990-1995 dhe mundësitë e zhvillimit të mëtejmë (bashkautor, 1996);
  6. Das Uberleben der Universitat Prishtina 1991-1996 (1997);
  7. The Survival of the University of Prishtina 1991-1996 (1997);
  8. Historia e pedagogjisë botërore I (1997, plotësuar dhe ribotuar më 2013);
  9. Historia e pedagogjisë botërore II (1998, plotësuar dhe ribotuar më 2013);
  10. Historiku i arsimit në Krajë (1999);
  11. Kraja e Shkodrës (2001);
  12. Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar (2002, plotësuar dhe ribotuar më 2012);
  13. Sistemi i arsimit në Kosovë (2004);
  14. Jashar Rexhepagiqi (Portret) (2004);
  15. Në kërkim të dijes dhe të lirisë (Searching for Knowledge and Freedom), (bashkautor dhe redaktor, 2004);
  16. Universiteti i Prishtinës 1970-2005 (University of Prishtina 1970-2005), (bashkautor, 2005);
  17. Thesar filoedukimi (Thesaurus of Philoeducation) (2007);
  18. Në një cep të Ilirisë (bashkautor, 2007);
  19. Jashar Rexhepagiqi, figurë e shquar e arsimit dhe e shkencës (2009);
  20. Gruaja ndër shekuj / Arsimimi dhe emancipimi i saj (2009);
  21. 40 vjet të tempullit tonë të diturisë (2010);
  22. Ata që jetën na e falen (2010);
  23. Kosova – Vështrim monografik (bashkautor, 2011, edhe anglisht);
  24. Kur Perëndia identifikohej me diturinë (2011);
  25. Kraja jonë (2014).

Përpos këtyre veprave dhe teksteve, është autor edhe i rreth 250 punimeve, përfshirë artikuj, studime, fejtone, vështrime etj., të botuar në gazeta dhe revista të ndryshme.

Që nga viti 2011 është në pension. Jeton në Prishtinë.

 

Share.

Comments are closed.