PESË VJET PA BEKIM FEHMIUN !

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Përkujtim

PESË VJET PA BEKIM FEHMIUN !

(01.06.1936 – 15.O6.2010 )

” Kur të vdes, hirin e trupit tim ta derdhni në Lumbardh në Prizren. Lumbardhi derdhet në Dri të Bardhë, e ai nëpërmes trojeve shqiptare derdhet në detin Adriatik…”.

B.Fehmiu

 

. Bekim Fehmiu ishte dhe mbetet një nga ikonat e artit skenik e atij kinematografik në ish-Jugosllavi edhe në arenën ndërkombëtare.
Bekim Fehmiu lindi në Sarajevë, në një nga familjet më të njohura Gjakovare, në 1 Qershor, në vitin 1936. Babai i tij, Ibrahim Fehmiu, ishte patriot i shquar dhe veprimtar i arsimit në gjuhën shqipe. Bekimi u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë dhe më gjërë. Ai ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore. Ai është kthyer në legjendë me rolet e tij në “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra. Nga filmat e para ka qenë “Vitet e nxehta”, “Protesta”, “Eskadrionet e partizaneve”, “Pergjithmonë Xhulia” dhe “Të kuq dhe të zinj”. Spektatori ynë ka pasur fatin ta njohë artin dhe talentin e këtij aktori të madh që në vitet 60-të, vecanërisht me filmin “Odisea” dhe me filmin “E dashura ime Libera” ku ai interpreton përkrah akrtores së madhe Klaudia Kardinal. Bekim Fehmiu e ka vizituar Shqipërinë së pari në vitin 1972 ku u prit jashtëzakonisht ngrohtë nga komuniteti i artistëve dhe i kinematografisë shqiptare të asaj kohe. I ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare ai nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për Shqipërinë. Ai nuk rreshti së përmenduri me krenari për asnjë çast të qenit Shqiptar, një krenari të cilët e demonstronte vazhdimisht me qëndrimin e tij intelektual dhe artistik në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Tani është i njohur fakti domëthënës i vitit 1987, kur në mënyrë demonstrative ai braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, ne teatrin Jugosllav te drames, duke i dhënë lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi. Në vitin 2001 është botuar libri me kujtime i Bekim Fehmiut, “Shkëlqim dhe frikë”, në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, deri në vitin 1985, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës.

Share.