Nënshkruhet marrëveshja: Në hotelin “Mediteran” 13 milionë euro deri në vitin 2024

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kompania “Becovic Management Group” do të investojë 13 milion euro në hotelin “Mediteran” në tre vitet e ardhshme, dhe kapacitetet ekzistuese do të ngriten në 4 dhe 5 yje, njoftoi zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq në konferencën e sotme për media me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes.

Kështu, Ulqini, tha ai, do të fitojë një objekt prestigjioz që do të përmirsojë ofertën turistike të qytetit. Kompania “Bećović Management Group” e bleu hotelin “Mediteran” me vilat dhe tokën përkatëse nga Riviera e Ulqinit më 25 korrik të vitit 2005, për 940 mijë euro. Abazoviq falënderoi edhe kompaninë “Riviera e Ulqinit”, duke shtuar se  shpreson që ngjarja e sotme të jetë vetëm fillimi i asaj që Qeveria premtoi të bëjë për të transformuar Malin e Zi dhe komunën e Ulqinit.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Jakov Millatoviq sqaroi se është planifikuar që në hotel të investohen tre milionë euro vitin e ardhshëm, dhe nga  pesë milionë në vitet  2023 dhe 2024, si dhe të ngrihet në nivelin e kategorizimit me katër yje, në mënyrë që të jetë gati për sezoni turistik veror të vitit 2025.

Drejtori ekzekutiv i HTP “Rivierës së Ulqinit”, Bojan Gjakonoviq, u shpreh i kënaqur me nënshkrimin e marrëveshjes, duke shpresuar se qytetarët e Ulqinit, të cilët për një kohë të gjatë presin ndërtimin e një hoteli të mirë, do ta “përshëndesin” këtë investim . Ai vuri në dukje se ky hotel, 16 vjet më parë, ishte blerë nga kompania e tyre dhe se ishte i kënaqur që, përkundër pakënaqësive të mëparshme me dinamikën e investimeve, investitorit iu dha një shans i ri.

Pronari Iso Beqoviq sqaroi se kontrata e parë nga viti 2005 dështoi për shkak të mungesës së Planit të Detajuar Urban (DUP), pa të cilin se ata nuk mund të ndërtonin pishina dhe objekte të tjera në kuadër të hotelit.

Share.