MONOGRAFI PËR VESHJEN E FEMRËS KRAJANE

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në mungesë të një studimi gjithëpërfshirës për veshjen e trevës së Krajës, adhuruesi dhe studiuesi i traditës dhe trashëgimisë Hamid Alaj ka ndërmarrë nismën për studimin e saj, rezultat i së cilës është botimi i monografisë “Veshja e nusënisë krajane”.

Sipas autorit, kjo vepër është shkruar me qëllim që të tregojë pasurinë dhe rëndësinë e kësaj veshjeje në mesin e veshjeve tjera të popullit shqiptar.

“Treva e Krajës karakterizohet nga një pasuri e madhe traditash, ku ndër to bën pjesë edhe veshja tradicionale e nusënisë krajane. Kjo veshje tradicionale e nuses krajane është shumë e pasur me qëndisma të ndryshme që zbukurohen me fije peri të ngjyrave të ndryshme, ku mbahet si një ndër veshjet më të bukura ndër trevat shqiptare, e zbukuruar me elemente të ndryshme, me monedha ari në gjoks që bartin nuset e reja krajane”, thekson ai ndër të tjera, duke nënvizuar se “edhe veshja e nusënisë krajane është një burim shumë i pasur që na ndihmon në studimin e mëtejshëm të entitetit të popullit të Krajës, në periudha të ndryshme historike”.

Në libër autori trajton çështje të ndryshme si origjinën e veshjes, materialin e veshjes, strukturën artistike të veshjes, motivet dhe vizatimet dekorative të veshjes, veglat kryesore për përgatitjen e veshjes, merret me shqyrtimin e disa elementeve të veshjes, përdorimin e stolive si elemente dekorative të veshjes dhe ngjyrave në veshjen (kostumin) e nuses krajane. Ai po ashtu flet për mjeshtret popullore krajane të përgatitjes së veshjes. Libri është i ilustruar me pamje të veshjes dhe elementeve të saj, veglave për punimin e veshjes etj. Libri mbyllet me fotoalbumin me nuset krajane.

Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, kurse është shtypur në Shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Libri është botim cilësor dhe me lidhje të fortë.

Redaktor i librit është Hajrudin S. Muja, recensent Ali Gjeçbritaj, konsulente Mejreme Subrahimi – Draga dhe Minire Hoxha – Alaj, lektor Ismet Kallaba, redaktor teknik Gazmend Çitaku, kurse ballina është disenjuar nga piktori Agron Ujkashi.

Hamid Alaj ka lindur në Krajë, në vitin 1965. Si shumë bashkëvendas të tjerë nga treva e Krajës, në vitin 1992 merr rrugën e mërgimit dhe emigron në SHBA, përkatësisht në qytetin e Nju-Jorkut, ku jeton dhe vepron. Që nga viti 2006 është anëtar i rregullt i Shoqatës Atdhetare “Kraja”, ndërsa për një kohë e ka drejtuar këtë shoqatë. Krahas punës së përditshme ai merret edhe me shkrime dhe studime të ndryshme, kryesisht mbi trevën e Krajës. Deri tani ka botuar librat: “Nga nektari i mençurisë njerëzore”, “Huazimet turko-osmane në të folmen e Krajës”, “Zhvillimi i shkollave dhe arsimi në trevën e Krajës dhe Shestanit”, “Durimi dhe durueshmëria sipas parimeve islame”, “Këngë folklorike nga treva Krajë – Shestan”, “Dasma krajane dhe ceremoniali i saj”, “Xhamia e Qyrjanit – institucioni i parë islam në trevën e Krajës”, “Dokumente të ndryshme nga e kaluara e Krajës dhe Shestanit” dhe “Veshja e nusënisë krajane”. Ka në dorëshkrim edhe disa vepra të tjera, që po ashtu i kushtohen trevës së Krajës.

SHAI “Art Club”

Share.