Medojeviq dhe Demokratët akuzojnë URA-n për bashkëpunim me PDS

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kryeministri i Malit të Zi Zdravko Krivokapiq, tha se mendimin për hyrjen eventuale të liderëve të Frontit Demokratik në Qeveri, do ta japë pasi të mësojë qëndrimin që për këtë ka mazhoranca parlamentare. Ai theksoi se është me rëndësi që të ketë pajtim në mes përbërësve të shumicës dhe të niset me realizimin e projekteve. Edhe pse nuk u prononcua direkt për pjesmarrjen e liderëve të Frontit, ai shprehu mendimin se disa parti politike po sillen sikur kanë filluar përgatitjet për zgjedhje të parakohëshme.

Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes për Ndryshime, një nga subjektet përbërëse të Frontit Demokratik,  Nebojsha Medojeviq tha se nuk beson se do të ketë riformatim të qeverisë dhe se zgjedhjet e reja janë opsioni më real për kapërcimin e krizës. Ai akuzoi LQ URA se paralelisht po bën bisedime sekrete me PDS.

Edhe Demokratët i përmendën këto akuza në deklaratën e tyre të sotme, në të cilën thonë se URA  tashmë ka gjetur partnerë të ri përndryshe nuk ka se si sqarohet thirrja e tyre për votimin e Këshillit Prokurorial, kur një pjesë e shumicës e bojkton Kuvendin. “Kolegët nga URA vazhdojnë me truket mediatike, shumë të ngjajshëm e ato të PDS, në të cilat informacioni manipulohet dhe përdridhet,” tha deputetje e Demokratëve Zdenka  Popoviq në një deklaratë për media.

Qëndrimi i URA për pjesmarrjen eventuale të liderëve të FD në qeveri nuk është e njohur ende, pasi kryetari i saj Dritan Abazoviq ditën e djeshme për këtë nuk dha një përgjigje të saktë, por duke u bazuar në deklaratat e mëparshme është e qartë se URA nuk e shikon këtë e sy të mirë. Abazoviq më herët disa herë e ka përsëritur se riformatimi i Qeverisë me figura politike do të thotë një moment të ri politik, çka do të sillte bisedime të reja nga e para.

Share.