Me 41 vota pro, një i përmbajtur dhe 28 vota kundër, Kuvendi i Malit të Zi miratoi përbërjen e re të Qeverisë, të 42-ën me radhë të kryesuar nga Kryeministri Zdravko Krivokapiq.
Zëvendëskryeministri do të jetë Dritan Abazovic nga URA, kurse Qeveria do të përbëhet nga 12 ministra.
“Betohem se do të kryej detyrën time sipas Kushtetutës dhe ligjit, me ndershmëri, me përgjegjësi dhe me ndërgjegje. Kështu më ndihmoft Zoti,” tha Krivokapiq duke dhënë betimin.
Për votuan deputetët e koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi”, deputetët nga lista e Demokratëve dhe deputetët e koalicionit “E bardhë në të zezë”. Kundër ishin deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve, Socialdemokratët, Partia Social-Demokrate, deputetët e Partisë Boshnjake, deputeti i koalicionit shqiptar “Bashkë nji Za”-Fatmir Gjeka, ndërsa vota e vetme e përmbajtur ishte vota e deputetit të Listës Shqiptate Genci Nimanbegut.