Mbrojtja e ambientit kryesfidë e Ulqinit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Shkruan: Gjekë Gjonaj

 Pa një ambijent të pastër  nuk kemi  njerëz të shëndetshëm. Një ambient i pastër nuk mjafton vetëm të duket, por duhet  edhe të mirëmbahet, për një jetë më të shëndoshë. Domethënë  një ambient i mirë është i rëndësishëm.  Prandaj  të gjithë qytetarët e Komunës së Ulqinit duhet  të kujdesen për  mirëmbajtjen  dhe pastrimin e vazhdueshëm të mbeturinave në tërë komunë,  pastrimin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të  kanalit të  Portë Milenës, kanalit të Braticës, rregullimin e shtratit të lumit Buna, rregullimin e oborreve të shkollave përmes financimit publik  dhe punës vullnetare me nxënësit e stafin arsimor,  rregullimin e parqeve në zonat e qytetit dhe  ngritjen  e nivelit higjienik  të qytetit. Pastrimi i qytetit të Ulqinit me rrethe nga mbetjet urbane  por jo vetëm, mbetet një nga kryesfidat e pushtetit vendor. Me gjithë punën e bërë situata vijon të jetë problematike në disa pjesë të qytetit dhe në periferi,  ku mbeturinat kanë pushtuar sipërfaqe të tëra.  Muajëve të fundit janë organizuar aksione pastrimi, por nuk ka pasur dalje masive të qytetarëve. Ato ishin të pamjaftashmueshme për të dhënë mesazhin e duhur për të sensibilizuar qytetarët për të  mbajtur pastër qytetin.

 Mjedisi është gjë e përbashkët, prandaj nuk duhet pritur vetëm nga qeveria vendore dhe qëndrore  dhe institucionet e tyre ta mbrojnë atë, por ky kujdes duhet nisur që nga qytetari. Siç kanë thënë shumë dijetarë dhe shumë ekspertë “ne nuk kemi planet tjetër, nuk kemi planet rezervë”. Andaj , për ta mbrojtur mirë mjedisin, përfshirë tokën, ajrin, ujin, nuk mund ta kryejë këtë rol vetëm komuna,  qeveria, nuk mund ta kryejë këtë rol vetëm institucionet, por në këtë udhëtim, për ta mbrojtur planetin, për ta mbrojtur mjedisin, duhet  të jemi të gjithë pjesëmarrës, duke filluar prej qytetarit. Është shfaqur nevoja e domosdoshme  që faktori “njeri” të ketë kujdes shumë më të shtuar ndaj mjedisit. Vetëm me një bashkim të forcave dhe dijes, vetëm me një presion pozitiv ndaj qeverisë lokale e qendrore, mund të bëjmë që buxheti për mbrojtjen e mjedisit të jetë më i madh dhe përmirësimi i mjedisit në Komunën e Ulqinit  të jetë më i dukshëm. Por që aksioni në pastrimine e Ulqinit me rrethe  të ketë rezultate akoma edhe më të mira, është e domosdoshme përfshirja e të gjithë komunitetit, shoqatave të biznesit, organizatave të ndryshme, nxënësve të shkollave dhe studentëve, që si një trup i vetëm të çlirojmë rrugët, bregdetin, mjedisin tonë nga plehrat që i kanë zënë frymën Le të tregojmë dhe ne qyetarërët ulqinakë  kulturë europiane, dashuri ndaj ambientit dhe gjithçkaje që na rrethon, dhe në radhë të parë dashuri për veten tonë dhe jetën e fëmijëve tanë. Ulqini është i yni, i të gjthë qytetarëve të tij, është vendi ku ne  kemi jetuar dhe jetojmë  së bashku  me mijëra vjet, jetojmë me njerëzit tanë më të dashur dhe vendi në të cilin do të jetojnë ne dhe fëmijët tanë.

Që ta ruajmë Ulqinin  një nga qytetet më të vizitueshëm dhe më të frekuentuar  gjatë stinës verore,   sa më  të pastër duhet patjetër të ndryshojmë vetveten, duke u bërë më të kujdesshëm  dhe më të ndërgjegjshëm  ndaj mbrojtjes së mjedisit. Përkujdesja  ndaj ambientit dhe kujdesi i shtuar ndaj tij  është obligim individual dhe instuticional.

Ulqini nuk mund të pastrohet vetëm për një ditë, por në mënyrë që të kemi një ambient të pastër duhet të rritet vetëdija e qytetarëve.

Do të dëshiroja  që  ky qytet, në shtetin e parë ekologjik në botë,  të jetë një shembull i  mirë ( e jo siç është sot)  se si ruajtja e ambientit dhe hapësirës ku jetojmë është  çështje madhore për një zhvillim të mbarshëm.

Share.