Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve – Durrës të premten mbrëma në Galerinë e Arteve të Qendrës së Kulturës organizuan Mbrëmje autoriale me shkrimtarin, publicistin dhe studiuesin Nikolla Spathari, ku morën pjesë edhe dy njohësit e veprimtarisë së tij ,Vladimir Muço dhe Meçan Hoxha. Ibrahim Berjashi moderatori i mbrëmjes dha disa shënime mbi të ftuarin, duke falënderuar komunën e Ulqinit për mbështetje. Dy referuesit, njëherit njohësit e mirë të veprimtarisë së shkrimtarit Vladimir Muço dhe Meçan Hoxha, folën gjerësisht mbi vlerat krijuese të shkrimtarit Spathari.
Meçan Hoxha duke ju drejtuar audiencës u shpreh se është bërë zakon që krijuesit e fushave të ndryshme si shkrimtarë, poet, muzikantë, piktorë e studiues, shkruajnë e bëjnë vlerësime për kolegët e tyre. Kjo është sa personale e miqësore, aq dhe kontribuuese në nxitjen dhe zhvillimin e krijimtarisë. Nikolla Spathari është një emër cilësor në letërsinë shqipe.
Ndërsa Vladimir Muça më shumë u përqendrua në vlerat krijuese të shkrimtarit. Autori të cilit ju kushtua kjo mbrëmje ndër të tjera tha se unë letërsinë shqipe e shoh si një tërësi jo të ndarë sipas shteteve ku jetojnë shqiptarët në Ballkan.
Bashkëpunimin kulturor mes Durrësit dhe Ulqinit duhet me thelluar edhe më shumë e dy shoqatat tona mund kontribuojnë me projekte konkrete, ishte mesazhi i shkrimtarit Spathari.