Mblidhen afaristët e Ulqinit. Kërkojnë masa shtesë për të ndihmuar turizmin dhe luftuar përhapjen e koronavirusit

0

Afaristët e Ulqinit që veprojnë në UBA , BKA, shoqatën “Rruga e Kripores”, shoqatën e hotelijerëve dhe të qiramarrësave të plazheve, janë takuar sot në hotel “Dolcino” për të diskutuar në lidhje me ndikimin që përhapja e koronavirusit do të ketë në sektorin ekonomik, në veçanti në turizëm si degën kryesore të qytetit. Në hapje afaristi Nazif Cungu lexoi propozimet dhe kërkesat që ato kanë përpiluar dhe do të dërgojnë në adresë të Qeverisë, Komunës së Ulqinit por edhe sektorit turistik, me qëllim që të meren masat e duhura për të lehtësuar situatën dhe amortizuar dëmet që mund të shkaktojë përhapja e kësaj sëmundjeje. Cungu shtoi se nuk ka nevojë për panik në këtë rast por marrja e masave preventive është më se e nevojshme. Hotelijerët shprehën shqetësimin e tyre me situatën e krijuar dhe ndikimin që kjo mund të ketë në sektorin e turizmit, pasi mjaft prej hoteleve kanë pasur edhe raste të anullimit të prenotimeve. Problem tjetër për to paraqet edhe fakti që një numër i konsiderueshëm i punëtorëve vijnë nga Shqipëria, e cila ka regjistruar rastet e para të kësaj smundjeje. Ato apelojnë tek institucionet relevante qendrore dhe lokale që të marrin parasysh sugjerimet dhe kërkesat e tyre në mënyrë që kjo situatë të kalojë me sa më pak pasoja.

Share.