Mark Junçaj: 50 VJETORI I BESËLIDHJES SË MALËSISË

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Njëra ndër plagët e rënda, e cila me shekuj e kishte rënduar Malësinë e Madhe, ishte gjakmarrja. Si pasojë e gjakmarrjes shumë familje u shfarosën, të tjerat u ngujuan, ndërsa disa prej tyre u shpërngulën. Shoqëria malësore e kishte pranuar gjakmarrjen si diçka më se të nevojshme për mbajtjen e njëlloj rregullit brenda Malësisë dhe për këtë thirrej në ligjet e Maleve, që u bënë të njohura me emrin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Mirëpo, në “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, që e ka përmbledh At Shtjefën Gjeçovi, është shënuar se: “Çmimi i jetës të njerit asht nji, si për të mirin si edhe per të keqin”. Nga kjo qartë shihet se, pa marrë parasysh për çfarë njeriu është fjala, a është burrë i nderuar apo jo, për secilin të merret gjaku njësoj. Sipas Kanunit, në fillim në gjak qitej vetëm dorasi, ndërsa më vonë u bë praktikë që rrethi të zgjerohej. Ashtu që, shpesh ndodhte që të vritej i pafajshmi, i cili ishte “fajtor” vetëm se ishte kushëri i vrasësit!
Gjakmarrja e rëndonte shumë gjendjen në Malësi të Madhe, e cila edhe pa gjakmarrje ishte mjaftë e rënduar nga varfëria dhe niveli shumë i lartë i analfabetizmit. Njerëzit kishin filluar të mendonin se do të ishte mirë që kjo dukuri të zhduket ose, së paku, të zbutet, sepse mjaftë kishim armiq të jashtëm, pa u vra edhe mes vetit, me ç’gjë ia lehtësonim punën armikut.
Mirëpo, që të ndërmerrej një hap i mirëfilltë kundër gjakmarrjes u deshtë të pritej shumë gjatë. Tek në vitin 1970 u ndërmor një aksion i drejtuar nga Gjergj Daku Gjokaj, Patër Gjergji Marstjepaj dhe imami i Tuzit, Rexhep Lika. Iniciativa e tyre ishte më se frytdhënëse, për arsye se filluan të angazhohen edhe burrat tjerë qëllimmirë të Malësisë, pra, të gjithë ata që e donin Malësinë me zemër. Pas shumë mbledhjeve u përgatit gjithçka ishte e nevojshme për mbledhjen kryesore, në të cilën do të trajtohej problemi i gjakmarrjes.
Pas gjitha përgatitjeve erdhi dita e madhe për Malësinë, 28 qershori, dita vendimtare sa i përket gjakmarrjës. Mbledhja kryesore u mbajt në Tuz, më 28 qershor 1970, në Sallën e shtëpisë së kooperativës, ku morën pjesë një numër i madh malësorësh. Atë ditë morën pjesë: Gjergj Daku Gjokaj, Patër Gjergj Marstjepaj, Imami Rexhep Lika, Nikollë Luca Gjonaj, Kolë Marku Lulgjuraj, Demush Gjokaj, Nikë Vasi Camaj, Nua Vuksani Junçaj, Shaqir Otoviqi, Rrok Pjetri Gojçaj, Gjokë Kolçaj, Marash Kola Vulaj, etj. Kjo ngjarje kishte zgjuar kuriozitetin tek shumë shqiptarë nga vendet tjera të Jugosllavisë, ashtu që atë ditë ishte prezent delegacioni i Kosovës i drejtuar nga patrioti Anton Çeta, pastaj, ishin prezentë edhe pjesëmarrës nga Rugova, Ulqini dhe vendet tjera të Malit të Zi. Prezentë ishin edhe mediet, të cilat me shumë interesim e përcollën këtë ngjarje, siç ishte rasti me RTV e Prishtinës dhe RTV e Malit të ZI.

Mbledhjen madhështore në Tuz e hapi Gjergj Daku Gjokaj, i cili së pari përshëndeti mysafirët nga vendet e ndryshme shqiptare nën Jugosllavi, të gjithë të pranishmit dhe mediet. Pastaj, propozoi kryesinë e punës të përbërë nga: Liko Mani Çunmulaj,Gjokë Deda Ivezaj, Mark Tomë Prëloci Margilaj, P. Gjergj Marstjepaj, Viktor Luca Perkaj, Gjokë Prëtashi Ulaj, Gjokë Luca Lulgjuraj, Marash Dokë Lani Dedvukaj, Pashko Marku Dushaj, Selman Juku Dukaj dhe veten. Për mbajtjen e procesverbalit propozoi Martin Ivezaj dhe më në fund propozoi rendin e ditës:

1. Gjetja e rrugëve dhe mundësive për eliminimin e gjakmarrjes dhe diskutimi në lidhje me këtë pikë
2. Formimi i Komisionit për hartimin e vendimeve në lidhje me gjakmarrjen.
3. Të ndryshme

Kryesia e punës e filloi punën duke ia dhanë fjalën Gjergj Dakut Gjokaj, i cili foli për rëndësinë e kësaj mbledhje, për lashtësinë e shqiptarëve dhe vuajtjet e tyre, për gjakmarrjen, dhe ndër të tjera vazhdoi: “Na do të lidhim një besëlidhje sot, e cila sipas mendimit tim, asht e njajtë me besën e baballarëve tanë, kur vendosën që të bajnë vdekjen si me le për liri dhe ideale tjera të shtrejta njerëzore”. Pastaj, me fjalime të ngjashme kundër gjakmarrjes vazhduan edhe Patër Gjergj Marstjepaj, Selim Tahiri Fërluçkiq, Viktor Luca Perkaj, Mark Toma Margilaj, Gjokë Prëtashi Ulaj, Beqir Ali Hakshabanaj, Mark Gjeti Gjokaj etj.
Pas fjalimeve dhe diskutimeve, Gjergj Daku Gjokaj propozoi që të zgjedhet një komision, i cili do të sjell një vendim lidhur me gjakmarrjen. Pasi që të gjithë ishin dakord që Komisionin për konkludime ta propozoi kryesia e punës, Gjergj Daku ftoi Viktor Lucën Perkaj, që të lexoi listën e komisionit për konkludime.Në komisionin për konkludime u caktuan:
Nikollë Luca Gjonaj, Kolë Mark Gjeka Lulgjuraj, Nikollë Gali Lekoçaj, Marash Deda Marashaj, Gjokë Kolçi, jurist, Demush Sadiku Gjokaj, Marash Dokë Lani Dedvukaj, Nikollë Zefi Ivezaj, Shaqir Otoviqi, Nikë Vasi Camaj, Nikë Soka Dushaj, Gjon Uci Berishaj, Patër Gjergji Marstjepaj, Bajram Rrustemi Kajoshaj, Marash Kola Vulaj, Rrok Pjetri Gojçaj, Viktor Luca Perkaj, Nikollë Toma Sinishtaj, Beqir Alia Hakaj, Nue Vuksani Junçaj, Lucë Doka Lucaj, Zef Nika Kalaj, Rifat Tuzoviqi dhe Sul Brahimi Kërniq.

Pas konsultimit, Lucë Doka Lucaj, në emër të Komisionit, doli dhe tha: “Vendimet e mbledhjes së përgjithshme të përfaqësuesve të fiseve të Malësisë janë:
1. Akti i vrasjes për hakmarrje dënohet si vepër që prish e shqetëson marrëdhëniet midis njerëzve .
2. Për vëllavrasje, vrasje ose për nji vepër tjetër që ka të bajë me hakmarrjen, të dënohet, qitet në gjak, ndjeket, etj. vetëm fajtori. Fajtor mundet me kenë nji ose ma shumë persona;
3. Pjesëtarët e tjerë të familjes së ngushtë, ma të gjanë apo të vëllaznisë e fisit, pa marrë parasysh se në çfarë marrëdhëniesh të gjakut janë me fajtorin e veprës, janë të lirë dhe nuk ka të drejtë askush t’i ndjek, t’i qesë në gjak ose t’i dënoj për veprën që ka krye aktori i bashkësisë më të afërme të tyne”.

Siç shihet nga vendimi i dal nga Kuvendi madhështor i 28 qershorit u vendos që në rast vrasje të ndiqet vetëm dorasi (vrasësi) dhe askush tjetër. Me këtë vendim, gjakmarrja, pothuajse u eliminua. Ky vendim ishte shumë i rëndësishëm dhe përparimtar për Malësinë e Madhe, i cili u duartrokit gjatë në sallë dhe jashtë saj.
Mirëpo, nuk kaluan shumë orë nga mbledhja e përgjithshme në Tuz, kur, në Konik, Mark Lucaj qëlloi dhe vrau Lekë Kolën Junçaj. Kjo vrasje sfidoi Besëlidhjen e Malësisë së Madhe, pra me fjalë tjera vendimet e Besëlidhjes ishin në testim dhe buzëqeshja për momentin iku nga fytyra e malësorëve, sikur ditën e bukur që e prishin retë e zeza. Tani, Besëlidhja u sfidua dhe pyetja kryesore ishte a do të mbahej Besëlidhja apo do të shkelet? Sytë e të gjithë Malësisë ishin kthyer nga Hoti dhe prisnin se si do të reagonte Hoti pas kësaj vrasje. E gjithë çështja ishte në duar të vëllazërisë Junçaj, që i takonin Hotit të Vjetër. Bozhajtë ia lan Nua Vuksanit Junçaj, i cili të vrarin, Lekën, e kishte djali i axhës, që të njoftoi Malësinë se Besëlidhja do të mbahet dhe nuk do të shkelet në asnjë mënyrë. Ditën e varrimit të Lekë Kolës Junçaj, ku edhe pse dhimbja e familjarëve dhe Hotit ishte e madhe për humbjen e Lekës, Nua Vuksani e njoftoi Malësinë se Besëlidhja nuk do të shkelet. Vendimi për mbajtjen e Besës ishte më se i rëndësishëm për Malësinë, se me këtë vendim iu dha një goditje e rëndë të gjithë atyre qëllimkëqinjve, të cilët mendonin se nuk do të mbahet Besëlidhja.

Jehona e Besëlidhjes u përhap me një shpejtësi të madhe dhe shumë shpejt kuvendarëve malësorë me në krye Gjergj Dakun u erdhën letra të shumta përgëzimi, si nga vendi, ashtu edhe nga jashtë.

Të gjitha këto ngjarje, me interesim të madh, i përcolli shtypi i kohës, qoftë në gjuhën shqipe apo në gjuhën sllave. Kështu me dt. 29 qershor 1970 gazeta “Rilindja” shkruante për Besëlidhjen një artikull me titull: “Hot e Grudë lidhen një besë”, ku e vlerësonte lartë Besëlidhjen e Malësisë. Një artikull të ngjashëm e hasim me datë 9 korrik në gazetën “Flaka e Vëllazërimit”, i cili artikull titullohet: “Në Malësi unanimisht u dënua hakmarrja”.

Po ashtu kemi edhe artikuj ku mundohen që ta shpallin Besëlidhjen si të pavlefshme dhe si një vendim, i cili nuk po respektohet. Kështu gazeta “Veçernje Novosti”, e dt. 30 qershor 1970 shkroi një artikull me titull “Besa je pogazhena” (Besa u shkel). Këtu përshkruhet vrasja që ndodhi mbas Besëlidhjes dhe vazhdon duke thënë se vendimi që u soll më 28 qershor u shkel. Kundër këtij artikull, në të njëjtën gazetë, më dt 3 korrik, reagoi Gjergj Daku Gjokaj në rubrikën “Lexuesit po apo jo”, me artikullin me titull “Besa nuk u shkel.”, dhe ua bëri me dije se Besëlidhja është përforcuar dhe se artikulli “Besa është shkelur” është i mbushur me dezinformata.
Shtypi i kushtoi artikuj edhe inspirimit që u dha Besëlidhja shqiptarëve të viseve tjera që ndodheshin nën Jugosllavi. Gazeta ,,Rilindja” e datës 1 nëntor 1970 njofton përmes artikullit “Gëzimi i Vojnikut” se si shqiptarët në Vojnik, të inspiruar nga bashkëkombësit e tyre malësorë, i falën gjaqet. Ndërsa, gazeta “Jedinstvo” tregon se si rugovasit lidhën një besë të ngjashme me atë të malësorëve të Malësisë së Madhe.

Rrugën e malësorëve, gjatë viteve ‘90 të shek. XX, e vazhdoi patrioti shqiptar Anton Çeta me organizatën për pajtimin e gjaqeve në Kosovë. Ndërsa, në fillim të shek XXI, pas sa e sa përpjekjeve, më 6 prill 2005 në Kushe të Rapshës u soll vendimi për zbutjen e gjakmarrjes, ashtu që u shpall Besëlidhja e Malësisë për fiset malësore në suaza të shtetit shqiptar, me të cilin vendim u bë unifikimi me Besëlidhjen e Malësisë të 28 qershorit 1970.

Si përfundim mund të themi se ishte më se e nevojshme që të zhduket gjakmarrja, ashtu që u kemi shumë borxh atyre burrave që e sollën atë vendim historik. Pra, 28 qershori është ditë madhështore për Malësinë, e cila do të duhej të festohej çdo vit si datë e rëndësishme kombëtare dhe, viti 2020, meqenëse është 50 vjetori i Besëlidhjes, është dashur, së paku nga Komuna e Tuzit, të shpallet viti i Besëlidhjes.

Mark Junçaj, prof. i Historisë

Nga portali Malesia.org

Share.