LD në MZ URON PAVARËSINË E KOSOVËS

Pinterest LinkedIn Tumblr +

 

 

MEHMET BARDHI

                               URON  UDHËHEQËSINË E KOSOVËS

 

Me rastin  e 7-Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Mehmet Bardhi, kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi u dërgoi telegrame urimi udhëheqjes më të lartë të Kosovës: Presidentes, zonjës Atifete Jahjaga, kryetarit të Qeverisë, zotëri dr.Isa Mustafa dhe kryetarit të Kuvendit, zotëri  Kadri Veseli

 

Në  urim, në mes të tjerave thuhet:

 

„Kam kënaqësi dhe respekt që në emër të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, të partisë së parë të shqiptarëve, sot në Malin e Zi, t’ju uroj 7-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Është Pavarësia, liria e demokracia për të cilat punoi, u angazhua dhe udhëhoqi me largpamësi e pa asnjë shmangie arhitekti i pavarësisë, kryetari historik dr. Ibrahim Rugova, për çka nuk do të harrohet kurrë.

Ishte komandant Adem Jashari i cili bëri kthesën e madhe të luftës së armatosur  UÇK-së për liri, kundër zaptuesit barbar serbo-sllav, që sakrifikoi jetën e tij dhe  krejt familjen për të mbetë pishtar e legjendë e gjallë deri në pavdekësi.

E nderuara zonja Kryetare e Kosovës / I nderuari zotëri Kryeministër, me këtë rast ju lus që urimet tona, urimet tona të  sinqerta e më të ngrohta, urimet e të gjithë anëtarëve të LD në MZ-së, po edhe të gjithë shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta stërgjyshore, sot në Malin e Zi, t’iu përcillni Qeverisë së Kosovës, kuvendarëve, anëtarëve të   familjeve të dëshmorëve të UÇK-së dhe mbarë popullit të Kosovës.

Lufta shekullore për liri, çlirim e  pavarësi  u bë me shumë punë, mund, angazhime, përkushtime e shumë  sakrifica. U deshtën të përballohen shumë vuajtje, persekutime, burgosje e vrasje të atdhetarëve, të lutëtarëve të lirisë. Krahas këtyre, përkrahja e  pakursyer sidomos e SHBA-ve po edhe  e shteteve të EU-së bënë që politika liridashëse të ngadhnjejë. Shiptarët, jo vetëm të Kosovës po nga të gjitha trojet, u angazhuan pa u kursyer po edhe me aq forcë e afsh u gëzuan dhe festuan për çlirim e pavarësi.

Dita e 17- Shkurtit 2008 është e paharrueshme. Lum kush ishte prezentë në Dasmën e Madhe. Lum kush ishte bashkohanik i Saj.

Zonja Kryetare / Zotërinj  kryetarë, sivjet këtë përvjetor po e rëndon shumë ekzodusi i dhjetëra mija shqiptarëve drejt shtetëve perëndimore. Është një formë e re e ikjes, e lënies së atdheut, që nuk e pamë më parë, por pasojat janë apo mund të jenë, po ato të cilat kishin eksoduset në të kaluaren historike, të afërt e pak më të largët, por ndoshta edhe më të rënda. Prandaj klasa politike e Kosovës duhet, të shikojë së pari vehtën e pastaj popullin, ta analizojë këtë disharmoni që të urtin nuk e lë indiferent, përkundrazi ajo është alarm, kërkon që klasa politike të reflektojë, të kthejë besimin e të gjejë zgjidhje.

 

Paçi shëndet dhe suksese.

Urime!

Ulqin,Tivar,Tuz , Plavë e Guci dhe Rozhajë, më   17. 02. 2015

 

MEHMET BARDHI, prof. Kryetar i LD në MZ

 

E-mail: mbardhi@hotmail.com

 

Share.