Kuvendi Komunal kërkon lejimin e gjuetisë në një pjesë të Kripores

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kuvendi i Ulqinit i ka dërguar kërkesë Ministrive të Bujqësisë dhe Turizmit dhe Shoqatës së Gjuetisë për të ndryshuar studimin e mbrojtjes së Kripores, me çka do të lejohej përsëri gjuetia në zonën e Knetës, ose siç njihet ndryshe, në Kriporen e re. Kryetari i Kuvendit Haxhi Sulejmani, konfirmoi për Vijesti se kërkesa ishte dërguar dhe se ende presin dhënien e mendimit për këtë kërkesë. Drejtori i N.P për Mbrojtjen dhe Kultivimin e Egërsirave, Ajet Zaga, tha se për momentin nuk dëshiron të komentojë mbi iniciativën, as për akuzat e sektorit civil.

“Do të prononcohemi për këtë kur të marrim përgjigje nga adresat në të cilat kemi dërguar kërkesën,” tha Zaga për Vijesti.

Kërkesa e Kuvendit u dërgua në përputhje me përfundimin e miratuar nga parlamenti vendor në 24 qershor 2019, menjëherë pasi këshilltarët votuan për të shpallur Kriporen park natyror. Me atë përfundim, këshilltarët e detyruan kryetarin e atëhershme të komunës, Loro Nrekiq, të konsideronte mundësitë për të lejuar gjuetinë e kontrolluar në pjesën e Knetës.

Nisma e Kuvendit të Ulqinit shkaktoi zemërim në fondacionin Dr Martin Schneider-Jacoby. Aktivistja e kësaj OJQ-je Zenepa Lika kritikoi në rrjetet sociale qëllimet e autoriteteve lokale dhe gjuetarëve. Në Qendrën për Kërkimin dhe Studimin e Zogjve, thanë për Vijesti se i përkrahin plotësisht qëndrimet e Likës.

Gjuetarët e Ulqinit më parë kanë shprehur pakënaqësi të hapur se vendimi i Kuvendit i ndaloi ata të gjuanin në pjesën e Kripores ku, siç pretendojnë ata, gjuanin edhe paraardhësit e tyre. Në fillim të vitit 2019, ata organizuan një peticion “Stop padrejtësisë ndaj traditës së vjetër të gjuestisë në Ulqini”, i cili u përkrah nga rreth 1500 nënshkrues.

Share.