Krruç: Banorët bllokojnë kamionët nga Budva

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Një numër i konsiderueshëm banorësh të Krruçit sot kanë bllokuar disa kamionë nga Budva në hedhjen e mbeturinave në deponinë Hije.

Kjo deponi zyrtarisht është e mbullyr dhe nuk lejohet hedhja e mbeturinave, shprehen banorët e kësaj zone. Por ky nuk është problemi i vetëm. Siç thonë vetë ata për Televizionin Teuta, çka mund edhe të vërtetohet nga era e rëndë që kudërmon rreth zonës, ngarkesat e kamionëve janë fekalijet e kolektorëve nga Budva.

Ato shprehen të revoltuar se nuk janë pyetur fare kur Komuna e Ulqinit ka nënshkruar kontratën me Budvën për hedhjen e mbeturinave në këtë zonë, dhe për këtë fajsojnë Kryetarin e Komunës dhe atë të ndërmarrjes komunale.

Banorët thonë se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë deponimin e mbeturinave në këtë zonë, sidomos jo fekalijeve, pasi kështu rrezikohet shëndeti  i tyre, dhe premtojnë bllokimin e çdo makine që do të tentojë diçka të tillë.

Bashkësia Lokale e Krruçit për sonte do të mbajë një mbledhje ku do të diskutohet gjithë situata dhe do të dilet me një vendim në lidhje me situatën e krijuar.

Share.