Kosova për mua është një dashuri e pakushtëzuar  që më frymëzon

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Mbresa nga shënimi i 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Podgoricë

Gjekë Gjonaj

Dhjetë vite më parë, më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës përmes një deklarate të nënshkruar nga deputetët e Republikës, veç atyre serbë, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Në këtë mënyrë u realizua dëshira shekullore e shqiptarëve për të fituar lirinë dhe pavarësinë. Kjo është një ditë e madhe për Kosovën. Është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët. Është dita kur lindi shteti i dytë shqiptar. Është dita kur lindi shteti i lirë, i pavarur dhe sovran i Kosovës. Kjo fitore historike e Kosovës u bë e mundur falë implementimit politik e ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Me mbështetjen e partnerëve të saj u arritë ëndrra kosovare evropiane. Kontribut të çmuar për lirinë dhe mëvetësinë e Kosovës e saj, përveç miqve perëndimorë e ndërkombëtarë, dhanë edhe shumë shqiptare e shqiptarë të cilët me gjakun e tyre të derdhur u bënë simbol qëndrese e heroizmi dhe frymëzim për brezat e ardhshëm.

E rruga për të ardhur deri tek pavarësia ka qenë e gjatë dhe shumë e mundimshme. Për mua dhe gjeneratën time ishte vetëm ëndërr, sikurse dhe për gjenerata të tëra shqiptarësh më përpara. Por, ëndrra për të qenë të lirë e zot shtëpie në shtëpi të vet, në vatrat e veta stërgjyshore, u bë relaitet falë gjakut të rënëve ndër breza të atyre që sakrifikuan çdo gjë, bile edhe jetën për këtë ditë. Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë dhe mëvetësinë e Kosovës!

Me rastin e 10-vjetorit  të Pavarësisë së Kosovës    të enjten e kaluar në mbrëmje, në ambientet  e Kapital Plaza në Podgoricë u organizua një pritje e mrekullueshme, nën kujdesin e Ambasadorit të Kosovës në Mal të Zi,  Skënder Durmishi. Meqë ishte  hera e parë të jam  i pranishëm në Festën e Pavarësisë së Kosovës e kam të vështirë, madje të pamundur të përshkruaj ndjesinë që më përfshiu atë natë, pasi i urova Festën ambasadorit Durmishi dhe zonjës së tij të nderuar, Florës. Kjo për faktin se Kosova për mua është një dashuri e pakushtëzuar (si edhe pavarësia e saj), që më frymëzon Një dashuri që e kam ndierë qysh në fëmijëri nga rrëfimet e babait tim tashmë të ndjerë, i cili menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore kreu Gjimnazin “Ivo LLolla Ribar” në Prishtinë dhe Shkollën Normale në Gjakovë.

Në këtë truall të përvuejtur e të djegur për liri edhe unë i kalova si student ditët më të bukura të rinisë sime. Nga kjo tokë mikëpritëse, nga kjo hapësirë ngrohtësie e mirëkuptimi, nga kjo çerdhe e dijes, babë e bir u kthyem në vendlindje me nga një diplomë mësuesi. Domethënë as njëri as tjetri nuk do të kishim qenë ata që ishim dhe ata që jemi pa Kosovën. Ajo na bëri çfarë jemi. Kjo është edhe arsyeja kryesore që në këtë ditë pavarësie e lirie iu gëzova mëvetësisë së pakthyeshme të shtetësisë kosovare.

Si shqiptar besnik ndaj shtetësisë së Kosovës dëshiroj që ajo të ketë një të ardhme të sigurt, të integrohet në NATO, në Bashkimin Evropian, të ketë rritje ekonomike, mirëqenie të banorëve të saj, përparim sportiv, kulturor e shoqëror.

Faleminderit Amasador Durmishi që më mundësuat të ndaj gëzimin me Ju, me vëllezërit shqiptarë dhe me miqtë e tjerë ndërkombëtarë të pranishëm në këtë eveniment!

Share.