KKSH: Do të kërrkojmë nga Ministria e arsimit të ndërtojë nga fillimi shkollën në Dacaj

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Me shqetësim të madh, sot mësuam lajmin e dyshimeve për zjarrvënie të qëllimshme të Shkollës Fillore “Dacaj” në Dacaj të Rozhajës, e vetmja shkollë në të cilën mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në atë Komunë.

Me të marrë lajmin kam telefonuar drejtorin e shkollës z. Haxhi Lajçi dhe mësimdhënës të kësaj shkolle, për të mësuar më shumë për motivet apo qëllimet e këtij rasti vandal. Ata më konfirmuan rastin, por nuk kanë informacion për motivet apo qëllimet, ndërsa më pohuan se organet kompetente po bëjnë detyrën e tyre për të zbardhur rastin dhe për të gjetur përgjegjësit. Po ashtu më konfirmuan se dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, sepse janë vërejtur shenja të qarta të dëmtimit të grilave dhe thyerjes së dritares nga individë të papërgjegjshëm dhe dashakeqës për t’i vënë zjarrin shkollës.

Me keqardhje mësova nga drejtori i shkollës për dëmtime të shumta të objektit, por më shumë, për dëmtimin e arkivit të shkollës, i cili ka rëndësi shumë për historikun e mësimit në gjuhën shqipe në atë shkollë.

Në emër të Këshillit Kombëtar i bëjmë thirrje organeve kompetente që të gjendet përgjegjësi dhe të zbulohen motivet e këtij akti vandal.

Pas kësaj ngjarjeje të shëmtuar, urojmë që Shkolla Fillore “Dacaj” në Rozhajë, të ndërtohet nga fillimi gjatë këtij pushimi verorë, për çka do t’i drejtohemi Ministrisë së Arsimit.

Po ashtu rikujtojmë se rikonstruktimi i plotë i shkollës në Dacaj ishte premtim nga takimi i dy Presidentëve të shteteve, Malit të Zi dhe Shqipërisë, në janar të vitit 2019, për çka Presidenti i Shqipërisë SH.T Z. Ilir Meta na e konfirmoi në takimin me anëtarët e Këshillit Kombëtar të mbajtur në Ulqin.

Urojmë që shkolla e Dacajve të ndërtohet sa më shpejt që është e mundur dhe akte të tilla të shëmtuara të mos përseritën më.

Kryetari i Këshillit Kombëtar
Faik Nika

Share.