KK “ULQINI”:Së shpejti edhe në New York

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Më 21.02. 2016 në Podgoricë u mbajt Kampionati i Malit të Zi për Seniorë. 
Ekipi i vajzave në luftëra, në përbërje Seida Suma, Hantije Ibroçi dhe Antigona Rama, u shpall nënkampion i Malit të Zi. Ekipi i vajzave seniore i KK “Ulqini” po shkruan histori në sportin e karatesë në Komunën e Ulqinit, pasi që është ekipi i parë i vetëm i vajzave seniore qysh nga themelimi i sportit të karatesë në komunën tonë. Tash disa vite me radhë ekipi i senioreve në kata dhe luftëra gjendet ndër ekipet më të mira si në vend ashtu edhe në rajon. Në Kampionatin e Malit të Zi vajzat tona në finale luftuan kundër ekipit të KK “Omlladinac” nga Podgorica, i cili është ndër ekipet më të mira në Evropë. Ekipi i vajzave tona tregoi një punë të shkëlqyer kundër ekipit të tyre.

Për momentin ekipi i vajzave seniore të KK “Ulqini” mban titullin kampion mbarëkombëtar, nënkampion i Malit të Zi për seniorë të rinj U21, nënkampion i Malit të Zi për seniorë dhe shumë tituj ndërkombëtarë nga disa turne shumë të fuqishëm.

Në luftëra individuale nënkampione të Malit të Zi u shpallën Antigona Rama +68kg dhe Hantije Ibroçi -68kg. Duhet cekur se Antigona Rama është kampione aktuale e Malit të Zi për seniore të reja dhe nënkampione mbarëkombëtare në kategorinë +68, Seida Suma është kampione aktuale mbarëkombëtare -68kg dhe nënkampione e Malit të Zi për seniore të reja, kurse Hantije Ibroçi eshtë nënkampione mbarëkombëtare -68kg.

Në muajin prill ekipi ynë i artë eshtë i ftuar në New York të Shteteve e Bashkuara të Amerikës që të marrë pjesë në një turne dhe do të luftojë kundër ekipit të New Yorkut. Shpresojmë që edhe atje do të jetë ekip i sukseshëm si çdo herë duke na përfaqësuar të gjithëve me dinjitet.

Kjo është edhe një arritje e shkëlqyeshme e klubit tonë, sepse nuk është lehtë të krijohet një ekip i tillë, që arrin ta përfaqësojë qytetin tonë edhe në New York, – shprehen të kënaqur udhëheqësit më të lartë të KK “Ulqini”.
Shërbimi Informativ i Klubit të Karatesë “Ulqini”

Share.