Kamberi: Serbia po pasivizon adresat e shqiptarëve në Luginë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Deputeti shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi thotë se ka vite që Serbia ka nisur pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në tri komunat jugore, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe kjo sipas tij, po ndryshon “strukturën etnike” të këtyre komunave, që ndryshe njihen me termin Lugina e Preshevës. Kamberi ka thënë se e mirëpret reagimin e kryediplomatëve të Kosovës dhe Shqipërisë, që kërkuan që Serbia të ndalë fshirjen e qëllimshme të adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. “Po, ky është një proces që ka filluar para disa vjetësh. Më intensivisht është duke u zbatuar në Medvegjë në shqiptarët që në 99-tën janë larguar dhunshëm nga Medvegja dhe jetojnë në Kosovë, nuk e kanë të rregulluar statusin civil në Kosovë, që do të thotë se akoma janë shtetas edhe me vendbanim në Medvegjë. Por, në kuadër të ligjit për caktimin e vendbanimit po shfrytëzohet një dispozitë e cila thotë se nëse qytetari nuk është duke banuar në vendbanimin që e ka paraqitur, atëherë ai vendbanim pasivizohet. Këtu është fjala për pasivizimin e vendbanimeve”, thotë Kamberi. Ai shton se qytetarëve të cilët iu pasivizohet adresa, mund të kërkojnë të regjistrojnë një vendbanim të ri, por ai shprehet se kjo bëhet përmes një procedure të stërzgjatur. Kamberi thotë se nuk ka informacione të sakta se cili është numri i qytetarëve të cilëve u janë fshirë adresat në Medvegjë, por mund të jenë mbi 1200 persona .

Share.