“Hana”, romani i ri i shkrimtarit Asllan Bisha

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Shkrimtari Asllan Bisha ka ardhur ditëve të fundit para lexuesit me romanin e tij të pestë, të cilin e ka titulluar “Hana”.

Edhe në këtë roman autori, proza e të cilit shquhet për stilin e rrjedhshëm dhe të drejtpërdrejtë,  trajton ngjarje nga vetë jeta dhe rrethi ku jeton, ku ai e gjen brumin për veprat e tij. Në roman Bisha trajton fatin njerëzor të dy të rinjve, jeta e të cilëve në fillim ishte e bukur dhe e lumtur, mirëpo pasi fillon pleqëria dalin në sipërfaqe edhe mosmarrëveshjet ngase ata kishin kombësi dhe religjone të ndryshme. Autori e shtjellon mjeshtërisht temën, e cila është aktuale, dhe jep mesazhin që njeriu është njeri dhe se me harmoni duhet të tejkalohen edhe ndasitë që ekzistojnë. Njeriu duhet ta ndihmojë njeriun. E keqja është e keqe, mirëpo njeriu duhet ta përballojë dhe mund të keqen, urrejtjen dhe gjithherë duhet të veprojë me humanizëm dhe ndërgjegje.

Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, kurse është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë.

Redaktor i librit është dr. Haxhi Shabani, recensentë Gani Karamanaga dhe Ismet Kallaba, lektor Sabri Halili, redaktor teknik Gazmend Çitaku, ndërsa ballina është punuar nga piktori Agron Ujkashi.

Romani “Hana” është libri i 20-të (përfshirë edhe ribotimet) i shkrimtarit Asllan Bisha, i cili shkruan kryesisht prozë për fëmijë dhe të rritur. Ka qenë korrespondent i gazetës “Rilindja” dhe i RTV të Kosovës, bashkëpunëtor i Radio Titogradit dhe i revistës “Koha”, ndërsa tani bashkëpunon me gazetën “Koha javore”. Po ashtu ka qenë kryeredaktor i revistës për fëmijë “Zana”. Ai është mbledhës folklori, autor punimesh nga ihtologjia (peshkimi) dhe i teksteve të këngëve për fëmijë dhe të rritur. Është njëri ndër përpiluesit e antologjisë “Dritaren lëre hapur”, si dhe është përfshirë në antologjinë “Putnici na putu” dhe përmbledhjen “Pet albanskih književnika u Crnoj Gori“. Disa nga krijimet e tij letrare janë përfshirë edhe në tekstet shkollore për shkollat në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 150 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

 

 

 

 

     Ulqin, më 01. 08. 2020                                                                        SHAI “Art Club”

Share.