Hajrullah Hajdari: Një non sens politik

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Të premten që lamë pasë deputetët e Kuvendit të Malit të Zi votuan Qeverinë e 42-të të këtij shteti. Natyrisht, si çdo herë në raste të tilla, mendimet për të votuar qeverinë e propozuar nga mandatari Krivokapiq, ishin të ndryshme – disa skeptike e një numër i vogël paraqiste mendime optimiste. Sidoqoftë, qeveria e re fitoi numrin minimal të duhur për  të   udhëhequr vendin në mandatin e ardhshëm, numër që e bënë qeverinë të brishtë, të pasigurt apo edhe të paqëndrueshme.

Duke ditur se qeveria është faktori kryesor dhe përgjegjës për zhvillimin ekonomik, kulturor, arsimor dhe të jetës së qytetarëve në përgjithësi të një vendi, atëherë edhe interesimi i qytetarëve për të njohur më mirë këtë qeveri të ekspertëve, si e cilësoi vet Krivokapiqi, tanimë kryeministër, mundësitë e saj reale për përballjen me të gjitha sfidat me të cilën do të përballohet apo për pritshmërinë e përmirësimit të jetës së qytetarëve në përgjithësi është e madhe. E kjo pyetje apo çështje u intereson, më siguri, edhe shqiptarëve në Mal të Zi, pasi jetesën e kanë të lidhur me këtë shtet, të cilit në vitin 2006 i dhanë ligjimititetin e krijimit të shtetit të pavarur.

Krivokapiqi në ekspozenë e vet qeverinë e propozuar e cilësoi si qeveri të eksperteve dhe si qeveri e parë demokratike pas vitit 1990. Se a është qeveria e parë demokratike apo jo, për shqiptarët në Mal të Zi nuk është shumë e rëndësishme, pasi për 30 vitet e kaluara më së miri e kanë përjetuar “demokracinë” duke mbetur edhe sot e kësaj dite vende më pak ekonomikisht të zhvilluara  në Mal të Zi, ndërsa në aspektin e të drejtave politike merita për mospërmbushjen e tyre është e përbashkët, e atyre që shkuan dhe e këtyre që po vijnë. Sa për njohuri, PDS dhe Fronti Demokratik, në vitin 2011, i bashkuan votat në Kuvend për eliminimin e të drejtave të arritura të shqiptarëve. Sa dhe a është qeveri ekspertesh, përkufizimi është i vështirë. Përveç titullit akademik, për të qenë ekspert i një fushe të caktuar duhet së paku të ketë një përvojë të caktuar pune dhe rrezulltate të mira në punë, të vërtetuara lehtë nga të gjithë, rezultate të vërtetuar shkencërisht në fushën për të cilen shpallej si ekspert e shumë çka tjetër. Sidoqoftë,  vërtetimin e këtij emërtimi, për qeverinë që po fillon punën, duhet lënë kohës.

Krivokapiqi në ekspozen e vet, punën e qeverisë së ardhshme e bazoi në shtatë shtylla, të gjitha të njohura dhe asgjë e re. Duke e dëgjuar me vëmendje, nuk kuptova gjë për ekonominë dhe principet  e zhvillimit të saj,  as një fjalë nuk pati për të hyrat buxhetore, pa të cilat, në asnjë variant, nuk mundet të krijohet një buxhet i qëndrueshëm. Mbase askush nuk kuptoj se a do të ketë dhe sa do të jetë rritja vjetore ekonomike, a do të rritet rroga minimale, pensionet! Arsyetimi se nuk ka pasur qasje në dokumentat dhe elementet e duhura për këtë çështje më së paku është sjellje e një hipokriti të cilen e shpartalloi deputeti Medojeviq i cili tha : “Që unë i kam ato shënime, ti pse nuk i ke…”?! Vërtetë s’e përmendi korupsionin si pikë e dobët e qeverisë së kaluar, por principet e hulumtimit, zbulimit dhe veprimit ndaj tyre e sidomos efekti nga ky veprim nuk i përmendi. Ai theksoi: “ do t’i burgosim të gjithë…” por harroi se ky veprim varet nga veprimi i organeve hetimore, prokurorisë dhe gjyqësisë, të cilat janë të pavarura nga qeveria. Tendencat për grumbullimin e të gjitha kompetencave në “lavatriçën” e qeverisë nuk janë demokratike, përkundrazi të çojnë në shkatërrimin e saj. Nuk kuptova mënyrën e zhvillimit në fushën e kulturës dhe arsimit, së paku nuk pati asnjë fjalë për kulturën dhe arsimin shqip! Nuk pati asnjë fjalë për popujt pakicë, tretmanin e tyre nga ana e kësaj qeverie, barazinë e tyre me të tjerët! Vërtetë, kuptova një qëllim! Kuptova se detyra kryesore e qeverisë do të jetë ndërrimi dhe plotësimi i Ligjit mbi liritë fetare, mbase e dinë se ky është ligji i cili solli në pozitë të qëverisin me Malin e Zi.

Diskutimet për ekspozenë e kryeqeveritarit,  paraqesin risi në jetën parlamentare dhe ndoshta, një hapë para në demokraci! Programi i paraqitur nga kryeqeveritari u kritikua ashpër, njësoj si  nga partitë opozitare e poashtu edhe nga partitë të cilat e votuan qeverinë. Për këtë arsye dhe shumë të tjera, kjo qeveri nuk është demokratike, në radhë të parë, sepse nuk paraqet vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhje, si element thelbësor i demokracisë.

Qeveria e ekspertave formohet atëherë kur politika, pra përfaqësuesit e popullit në parlament, nuk dëshirojnë të marrin përgjegjësi politike për punën e bërë keq ose mirë të qeverisë. Ato formohen vetëm atëherë kur qeveria e humbë besimin dhe përkrahjen e shumicës parlamentare dhe cilësohen si qeveri teknokratike. Në rastin konkret s’kemi të bëjmë me humbjen e besimit, sepse zgjidhet qeveria e re e dalë pas zgjedhjeve. Në rastin konkret kemi të bëjmë me pafuqinë e shumicës parlamentare, me shumicë proserbe, që të parballohet më realitetin politik të përcaktuar nga populli dhe bartjen e kompetencave në një person të vetëm me qëllim të realizimit të premtimit të tyre për largimin e PDS-së nga pushteti, pa marrë parasysh pasojat. Në këtë kuptim, qeveria teknoktatike në Mal të Zi paraqet non sens politik. Vërtet, qeveri teknokratike kanë sot edhe Greqia dhe Italia pasi e humbën besimin e shumicës e në krye të qeverive, në të dy rastet, teknokratët janë ekonomista.

Përbërja e kabinetit qeveritar, poashtu, është  non sens në 22 vitet e fundit të parlamentarizmit në Mal të Zi. Përveç që është njëkonfesionale, ajo është edhe njënacionale. A thua shumicën parlamentare nuk e votoj asnjë kroat, boshnjak apo shqiptarë!? Nëse kemi të bëjmë vërtet me qeveri teknokratike apo qoftë edhe të ekspertëve,  atëherë shtrohet pyetja se athua në mesin e së paku 150 mijë banorëve të përkatësisë kroate, boshnjake apo shqiptare nuk paska asnjë teknokrat me vlerat e një eksperti respektabil, pra jashëpartiak,  që do të mund të ishte anëtar i kabinetit qeveritar!? Kjo, vërtet, është nençmuese për 1/3 e popullsisë së Malit të Zi! Ka mundësi që kjo zbrazëti e konsideruar si mangësi e qeverisë së re, pakicat i identifikojnë me Dritanin, mendimet kozmopolite të të cilit, në horizont kanë zhdukjen e kombeve, që s’është tjetër përveç se teori e vjetruar komuniste, sipas të cilës “kombi si kategori shoqërore”  mund të zhduket vetëm në shkallën më të lartë të zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe politik. S’do mend që Dritani dhe kush do tjetër e dinë sa jemi larg nga ky realitet. Pakicat janë dhe duhet të jenë virtyt i shoqërisë demokratike, sidomos në shkallën e zhvillimit të tanishëm shoqëroro-ekonomik.

Ata që në diskutimet e tyre shprehen keqardhje për mospjesëmarrjen e pakicave në qeveri, së paku sa u përket shqiptarëve, them se  nuk duhet të merzitën shumë. Ata, aty ishin 30 vitet e kaluara, ndërsa niveli zhvillimor, ekonomik, kulturor e arsimor i shqiptarëve i përgënjeshtrojnë “lotët e krokodilit” të derdhura në atë mbledhje. Të drejtat e pakicave rregullohen dhe garantohen me Kushtetutë e jo me ministri apo drejtorate, si mund të jetë nesër.

Sipas të gjitha parashikimeve kjo qeveri teknokrate, si kudo tjetër ku ekziston, duhet te jetë e limituar në kohëzgjatjen e saj. Kjo qeveri do t’i përgjigjet vetëm një njeriu, teknokrat në kuptimin e plotë të fjalës, sepse as ai vetë nuk i përket ndonjë partie politike. Pra, në këtë situatë i përgjigjet vetvetës por edhe e gjithë përgjegjësia politike i takon atij. Partitë politike do të jenë të pafajshme..

Në fund dua të ceki  qendrimet e përfaqësuesëve të partive shqiptare në Parlament. Siç është bërë zakon “si brinat në thes” apo” kush n’hanë e kush n’Garanë”. Njëri votoi bindshëm kundër, ndërsa tjetri taktizoi, ishte “i përmbajtur”, mbase ekzistojnë shpresat e futjes, në një kohë të caktuar, në qeveri. Kjo duhet të analizohet mirë, duke bashkëvepruar edhe me atë që votoi kundër, të bëhet transparente qëllimi, e ai duhet të jetë në të mirën e shqiptarëve. Shqiptarët nuk duhen të bëhen pjesë e qeverisë për t’i bërë shumicën dikuj. Ata duhet të jenë në qeveri vetëm për interesat madhore të tyre, së paku për realizimin e atyre kërkesave të cilat nuk u realizuan 30 vitet e kaluara. “I vogli” duhet të jetë gjithmonë prezent aty ku merren vendimet, në të kundërtën vaj halli për ata. Koha do të vërtetojë më së miri qendrimet e partive shqiptare, unë le të jem i gabuar.

Share.