H.Hajdari: A DUHET TË DALIN SHQIPTARËT NË VOTIMET E 30 GUSHTIT?!

Pinterest LinkedIn Tumblr +

A DUHET TË DALIN SHQIPTARËT NË VOTIMET E 30 GUSHTIT?!

Zgjedhjet parlamentare të rradhës në Mal të Zi, tanimë, janë dekretuar e shpallur për tu mbajtur më 30 gusht të këtij viti. Sot, pas 30 viteve në demokraci, shqiptarët janë të ndarë e të përçarë në shumë parti politike, e secila nga ato me rastin e zgjedhjeve deklarohet si parti nacionae ( ashtu duhet për të pasur të drejtë konkurrimi sipas të drejtës të diskriminimit pozitiv të Ligjit zgjedhor), pothuaj të gjitha në koalicion me partinë-shtet – Partinë Demokratike Socialiste, e cila si në asnjë vend tjetër në Evropë, apo edhe më gjërë, qendron e palekundur në pushtet 30 vite me radhë, pa u ndërruar asnjëherë. Afrimi i partive nacionale shqiptare në Mal të Zi me partinë shtet nuk do të kishte asgjë të keqe sikurse të siguronin një avancim të theksuar të të drejtave civilo-politike dhe një zhvillim ekonomik dhe mirëqenje sociale, sëpaku, në përputhje me resurset natyrore që zoti iu ka dhuruar trojeve shqiptare.

  • Investimet kapitale shtetërore në vendet e banuara me shqiptarë janë vërtetë në një shkallë të ultë

Megjithate, përkundër resurseve natyrore shumë më të avancuara në krahasim me viset tjera të Malit të Zi ( 57% e bregdetit malazez i takon komunës së Ulqinit, liqeni i Shkodrës dhe liqeni i Shasit, lumi Buna, fusha e male të përshtatshme për zhvillimin e turizmit, bujqësisë e blegtorisë), sot e kësaj dite, vendet e banuara me shqiptarë janë viset më të pazhvilluara në Mal të Zi.

Sipas të dhënave  zyrtare statistikore, indeksi i zhvillimit krahasues të komunave në Mal të Zi, 2010-2015, është: Budva, 252,35; Tivati 119,28; Tivari 106,71; Plluzhinë 105,24: Zhablak 77.05; Ulqin 76,95; Plavë 62,05, Guci 40,43 nderësa të ardhurat të shprehura në euro, për një banor në fund të vitit 2017 ishin këto: Budvë, 1685,40; Tivat 720,13;Tivar 326,62; Pluzhinë 804,07; Zhabjak 541,73;Ulqin 280,43;Guci 134,54. Investimet kapitale nga ana e shtetit në vende të banuara me shqiptarë në vitin 2017 ishin në një shkallë të ulët, ta paimagjinueshme, e as më pak e as më shumë poshtruese për shqiptarët. Shkalla e investimeve në vendet e banuara me shqiptarë në krahasim me nivelin shtetëror është nën çdo nivel,vetëm 0. 39% të investimeve të përgjithshme. Në nivelin shtetëror investimet në turizëm dhe në valorizimin e objekteve kulturore ishin në nivelin e 14.149.685,00 ndërkaq për zhvillimin e turizmit dhe valorizimin e objekteve kulturore në vendet e banuar me shqiptarë nuk është  investuar asnjë cent.Natyrisht, mosinvestimi në degët kryesore të ekonomisë ka për pasojë rritjen e papunësisë. Përderisa shkalla e papunësisë në Budvë është 11,61%, në Zhablak 15,32%, në Ulqin është 24,39% nderësa në Plavë 57,98%. Këto të dhëna statistikore mësëmiri e pasqyrojnë “kujdesin” e shtetit të Malit të Zi ndaj shqiptarëve, të cilët kontribuan aq shumë për pavarësinë e tyre e, nga ana tjetër tregojnë gjendjen reale zhvillimore dhe kulturore të shqiptarëve të cilët të gjendur para këtyre fakteve s’u mbetet tjetër veç se braktisja e trojeve të tyre shekullore dhe emigrimi në vënde të tjera, veprim i cili për pasojë do të ketë asimilimin sa më të shpejt të tyre.

  • Sistemi zgjedhor aktual diskriminues për shqiptarët

Që nga zgjedhjet e para parlamentare e deri më sot, pa marrë parasysh afërsinë dhe bashkëpunimin me partinë-shtet, përfaqësuesit e partive shqiptare janë shprehur se Lligji zgedhor për shqiptarët në Mal të Zi është diskriminues, pasi nuk mundëson pjesëmarrjen proporcionale të shqiptarëve në jetën politike dhe ekonomike.Mirëpo, si duket, me kalimin e kohës apo me rehatinë që gjetën përfaqësuesit tanë në Parlamentin e Malit të Zi dhe në organet tjera shtetërore, e kanë harruar këtë qendrim. Është e vërtetë se ndikimi dhe fuqia e faktorit politik shqiptar në vendmmarrje për ndërrimin e sistemit zgjedhor, së paku për kthimin e të drejtave të fituara më parë (kur shqiptarët kishin mundësi të fitonin 5 deputet),është jashtëzakonisht i vogël. Megjithate, deklaratat e deputetit tonë se ky ligj nuk është më i miri, por megjithate siguron zgjedhje të lira e të ndershme nuk i shërben unitetit të faktorit shqiptar aq më tepër kur dihet se populli është i indinjuar në përfaqësuesit politik për shkak të bartjes së votës pas zgjedhjeve në koshin e partisë shtet, që viteve të fundit është bërë praktikë. Populli është i indinjuar edhe më tepër sepse, nga ky transport i votës në koshin e atij për të cilin votuesi nuk ka votuar, shqiptarët nuk përfituan as në aspektin politik e aq më pak në atë ekonomik.

Statistikat e lartëpërmendura flasin vetë dhe padyshim të japin të drejtë të mendosh e të pyesësh veten: Për cilën parti duhet të votoj? Nëse jam i vetëdijshëm se vota ime dhënë partive shqiptare do të shkojë në koshin e madh të shtetit dhe nga ajo bartje do të fitojnë vetëm politikëbërsit aktual, atëherë votuesi shqiptar pyet: Pse mos t’a hiedhë votën time në atë koshin e madh?! Ndoshta do të përfitojë edhe ai vetë e kështu vota shqiptare të shpërndahet edhe më shumë!

  • Dalja me një listë zgjedhore e vetmja mundësi për të fituar më shumë se një deputet

Për herë të parë shqiptarët dolën me një listë të përbashkët në zgjedhjet  e gjashta parlamentare në vitin 2002 me moton “Shqiptarët bashkë” dhe herën e dytë në zgjedhjet lokale, vitin e kaluar në Tuz. Rezultatet zgjedhore nga dalja me listë të përbashkët, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat, sidomos në Tuz, ishin të mira.

Këto ditë, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi lëshoi një komunikatë me të ,

cilen kërkon nga subjektet politike shqiptare që të bëjnë gjithçka e të dalin më një listë të përbashkët zgjedhore. Për të realizuar një veprim të tillë, siç theksohet edhe në kumtesë, padyshim se mungon një platformë politike dhe e veprimit të Këshillit Kombëtar me partitë politike shqiptare, me të cilen në detaje do të përcaktohen mënyra e bashkëpunimit dhe bashkërendimit te veprimeve politike të shqiptarëve në Mal të Zi.Në kumtesëne e KKSH-së theksohet edhe kjo: “E njëjta platformë do të jetë edhe parakusht për pjesëmarrje ose jo të shqiptarëve në qeverisjen e ardhshme në Mal të Zi”. Dhe vërtetë do të duhej të ndodhte ashtu!

Po a  janë të gatshme partitë politike për një sakrificë të tilllë?! KKSH-ja nuk duhet t’i lë asgjë kohës, por duhet të veprojë sa më parë, sepse kur të deshmojë koha do të jetë shumë vonë!

  • A do të dalin shqiptarët në votime

Votuesi shqiptar është i lodhur nga premtimet boshe nga të gjitha instancat, është i lodhur me bartjen e votës dhe tjetërsimin e vullnetit të tij zgjedhor! Është i lodhur sepse nuk ka investime kapitale, nuk ka zhvillim ekonomik! Është i lodhur sepse përfaqësuesit shqiptarë nuk po i mbajnë premtimet e dhëna parazgjedhore, është i lodhur me mosveprimin e tyre.

Nga ky zhgenjim, ka mundësi, që votuesi shqiptar kësaj radhe, si asnjëherë më parë, të  pushojë të drejten e tij politike për të ushtruar obligimin qytetar. Politikanët shqiptarë kësaj radhe duhet ta kenë të qartë se abstenimi i shqiptarëve nga e drejta e votës do të jetë i madh! Nëse ndodh kështu, pasojat do të jenë të mëdha e përgjegjësia është e tyre.

Nga e gjithë kjo del edhe përgjegjësia e madhe e KKSH-së. KKSH-ja duhet të shëndrohet në forcë motorike të partive shqiptare, t’i ulë ata në tavolinën e bashkërëndimit të mënyrës së veprimit dhe koordinimit të kërkesave tona. Ata duhet sa më parë të nënshkruajnë marrëveshjen për dalje në zgjedhje me një listë të përbashkët. Mjaftë më interesave personale! Në të kundërten, populli duhet thirur që të mos dalë në zgjedhje!

 

 

Share.