Gjekë Gjonaj: Magnoliet do t’i japin një bukuri tjetër Ulqinit

0

Qyteti i Ulqinit është vlerësuar si qytet i palmave  që prej vitit 1960 kur në Plazhin e Vogël të Ulqinit u mbollën masivisht palma përgjatë shëtitores. Ato deri para një viti  zbukuronin  parqet, sheshet dhe bulevardet e  këtij qyteti. Madje ato kanë shërbyer si dekor simbol edhe në  oborret e shumë shtëpive private.  Por, një dëmtues i palmave i njohur ndryshe si “ Bubureci i kuq“ ( Dosëza e kuqe) dhe në gjuhën shkencore “Rhynchophorus ferrugineus”  e kushtëzoi nga dita në ditë ekzistencën e palmave përgjatë  bulevardeve të qytetit. Ky lloj insekti, i cili sipas specialistëve  të gjelbërimit ( mjedisit) u importua në Evropë rreth viteve 1992  dhe mendohet të ketë ardhur nga Jordania, Palestina, Azia orientale, Malajzia, Emiratet Arabe dhe Egjypti, u  shfaq     (erdhi)  me shpejtësi të frkishme edhe në Ulqin, në vitin 2012.  Ky virus, i cili “ bëri kërdinë”   në palma u vëzhgua (monitorua) afro dy-tri  vitesh.  U bë dezinfektimi dhe  spërkatja e palmave të infektuara. Megjithatë  kjo sëmundje mori përmasa aq të mëdha sa  shumë palma u thanë krejtësisht.

Të ndodhur përballë këtij realiteti, ku palmat rrezikonin zhdukjen u ngrit shtabi për shpëtimin e palmave në qytet, në përbërje të të cilit, ishin specialistë të fushës. U bë prerja e palmave të dëmtuara.  U bë spërkatja e trungut me lëng të posaçëm kundër “Buburecit të kuq” me qëllim zhdukjen e tij dhe më pas u bë djegia e palmave që rezultonin të prekura, me qëllim që krimbi dëmtues të mos kish mundësi të përhapej, ndërsa nisi edhe profilaksia  me spërkatje të palmave të pa dëmtuara me qëllim mbrojtjen e tyre.

Përballë kësaj situate shqetësuese ( alarmante),  e cila dukshëm  zbehu bukurinë dhe hijeshinë e mëparshme të  qytetit turistik të Ulqinit,  përgjegjësit e mjedisit  në Ulqin vendosën që në vend të pemës simbol  të këtij qyteti- palmës të mbjellin një bimë tjetër zbukuruese – magnolien. 

Punonjësit e NP “ Veprimtaritë Komunale”  para disa ditësh  kanë filluar  mbjelljen e  drunjve dekorativ të llojit magnolia  në shëtitoren në Ranë,  në bulevardin përballë shkollës së mesme dhe  në bulevardin përballë shtëpisë së shëndetit. Ky aksion do të vijojë më pas në Bulevardin “ Teuta” në drejtim të Plazhit të Madhe  dhe në hapësirat tjera publike në Ulqin. 

Shumica e ulqinakëve me të cilët biseduam  e kanë mirëpritur këtë investim  të Ministrisë së Bujqësisë së Malit të Zi.  Ata thonë se zëvendësimi i palmave të kalbura,  të thara e të prera, me magnolie është gjë e mirë.  Është një hap, veprim a punë  që qytetarët dhe kalimtarët e rastit dhe mysafirët  mund  ta shohin, mund ta prekin dhe mund ta shijojnë.

Me  përfundimin e mbjelljeve të drunjve  dekorativ siç është magnolia parqet, sheshet, bulevardet, shëtitoret  dhe hapësirat e tjera të  gjelbëruara  nga pikëpamja estetike do të duket shumë herë më  të hijshme (bukura) . Veç kësaj gërshetimi i magnolies me  bimët zbukuruese ekzistuese dhe të tjerat që do të mbillen  ditëve të ardhshme  në hapësirat e  gjelbëruara të këtij qytetit     do të realizojnë edhe funksione të tjera. Së pari  ato do t’i japin një bukuri tjetër Ulqinit. Së dyti  do të maskojnë pamjen antiestetike të ndërtesave të palyera apo objekteve përreth mu  në zemrën e qytetit. Së treti   do të gjallërojnë  shtëpitë dhe objektet rrethuese në ( kundërshtimn ( kontrast)  me ngjyrat me sipërfaqet e ngurta dhe ngjyrat e mërzitshme  të objekteve banesore. Së katërti veç anës estetike bimët zbukuruese në këto pjesë të  qytetit gjithsesi  do të kryejnë edhe funksione biologjike. Dhe së fundmi  do të shërbejnë për të shprehur emocione  kënaqësie, relaksimi dhe  ndonjë  ndjenjë  që fjala  nuk është e aftë ta shprehë.

Share.

Comments are closed.