Gjekë Gjonaj: Gatimet tradicionale të Ulqinit me rrethinë në funksion të turizmit

0

Rajoni i Ulqinit  është i pasur me burime natyrore që ndikojnë në krijimin e një eksperience turistike të këndshme. Këto burime natyrore duke u kombinuar edhe me produktet gastronomike, të cilat gjithashtu janë të pranishme në këtë qytet, formojnë një bazë të konsoliduar të ofertës turistike të këtij destinacioni shumë  tërheqës për turistët vendas dhe të huaj. Mirëpo, për tërheqjen e turistëve nuk mjaftojnë më vetëm bukuritë natyrore, deti, plazhet , ulliri, pishat, monumentet kulturore-historike, por edhe promovimi  i vlerave  të gatimeve ( ushqimeve) tradicionale , të cilat u promovuan  para dy javësh në Hotelin “ Mediteran” në Ulqin. Ky aktivitet që erdhi  në organizim të OJQ “ Mogul” në bashkëpunim me Bashkinë e Mirditës ( Shqipëri),  i cili u mbështet edhe nga Komuna e Ulqinit, Qendra UET dhe u financua  nga Union Evropian dhe Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi është një risi në funksion të turizmit kulinar, kulturor e malor.

 Ushqimet   e përgatitura nga duart e arta të grave   të Ulqinit me rrethinë (  produkte të shumta  të qumështit , produktet nga vaji i ullirit,  lloje të ndryshme të bimëve  të shëndetshme e mjekuese, mjalti,  kultura të pemëve e perimeve të freskëta dhe  të thara,   sapunë nga vaj ulliri ekstra i virgjër,  ëmbëlsirat tradicionale, erëzat që i japin shije  më të veçantë gatimit, lëngje të llojllojshme plotësisht natyrale nga thana, dardha , shega e egër, vishnja ,   buka e misrit, pitja, kryelani, lakrori, japraku, djathi i fërguar  , tespixhja etj,) janë specialitete   të zonave të ndryshme, që përbëjnë kuzhinën tradicionale të hershme sa vetë tradita shqiptare. 

 Gatimet e prezantuara i qëndrojnë besnik traditës agrobujqësore, të gatuara krejtësisht  me prodhimet e tokës vendase. Këto gatime të bazuara në traditën gastronomike vendase  ( prodhimin lokal )  kanë  karakter  të veçantë, shije të fortë (unike) , aromë të mirë dhe të qëndrueshme. Ato  përgatiten duke përdorur metodat tradicionale në  zona  të caktuara të Ulqinit, ku shumica e këtyre gatimeve transmetohen ( përcillen)  nga brezi në brez. Si të tilla po kthehen në një pjesë të rëndësishme të kulturës shqiptare, pjesë e trashëgimisë kulturore të paprekshme dhe një atraksion gjithmonë e më i rëndësishëm për turistët.

Përdorimi i ushqimeve  lokale po  ndikon në qëndrueshmërinë e  Ulqinit  në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në mënyrë jo të tërthortë. Konsumi i ushqimit lokal stimulon mbështetjen e veprimtarive bujqësore dhe të prodhimit të ushqimit. Komuniteti lokal mund të përfitojë në aspektin e krijimit të vendeve të reja të punës, duke gjeneruar krenarinë dhe përforcuar identitetin me fokus në përvojën e ushqimit në të gjitha zonat e Ulqinit. Ushqimi lokal gëzon aftësinë e krijimit të lidhjes   ndërmjet Ulqinit , kulturës e trashëgimisë që mbart ky destinacion dhe turistit.

Ushqimet tradicionale  përveçse   po luajnë rol të rëndësishëm  në ruajtjen e traditës dhe kulturës, gradualisht po kthehen në një pjesë të rëndësishme të kulturës shqiptare, pjesë e trashëgimisë kulturore të paprekshme dhe një atraksion gjithmonë e më i rëndësishëm për turistët.

Duke u fokusuar në krijimin e një imazhi të konsoliduar si destinacion turistik gastronomik, rajoni i Ulqinit  mund të këtë përfitime të larta në drejtim të rritjes së numrit të turistëve, zhvillimit të prodhimit rajonal dhe produkteve rajonale, duke sjellë kështu përfitime ekonomike të qëndrueshme për këtë komunë. Për t’ia arritur këtij qëllimi aktorët e   qeverisjes vendore ( pushtetarët)  duhet që zhvillimi i sektorit të prodhimit tradicional agroushqimor dhe integrimi i këtyre produkteve me turizmin  të kthehet në prioritet për qeverisjen vendore. Dhe, kjo  duke filluar me identifikimin e  prodhuesve vendas, trajnimin e tyre me njohjen  e rëndësisë dhe vlerave që mbart prodhimi vendas, trajnimin  i tyre nëpërmjet seminareve , workshopeve etj, për ndërgjegjësimin e tyre rreth pasurisë kulturore dhe materiale që ka prodhimtaria e tyre.

Share.