Gjekë Gjonaj: Çantat e mbingarkuara vazhdojnë të rrezikojnë shëndetin e fëmijëve

0

Fillimi i vitit të  ri shkollor

Çantat e  mbingarkuara  vazhdojnë të  rrezikojnë shëndetin e fëmijëve

Gjekë Gjonaj

Edhe këtë vit shkollor  nxënësit e  shkollave fillore  të Komunës së Ulqinit , sidomos ata të cilkit të ulët ,  sikurse edhe të gjithë moshatarët e tyre në shkollat tjera në Mal të Zi , po përballen me  bartjen e çantave të rënda me tekste ( libra), fletore pune  dhe mjete ( materiale)  të tjera shkollore.  

Ne çdo ditë  para ose pasdite  takojmë  para oborreve të shkollave ose në rrugë  djem dhe vajza të cilët me vështirësi ecin rrugës  nga pesha e rëndë e çantës. Çantat e  rënda të nxënësve në të gjitha shkollat fillore e kalojnë peshën e lejuar, duke u kthyer në një shqetësim serioz për të vegjëlit, thonë mjekët specialistë. Një fëmijë i klasës së parë ose të dytë me peshë trupore prerj 20-3o kilogramë  mban mbi shpinën e tij një çantë që peshon deri në 5 kilogramë.  Ndërkaq, ekspertët e shëndetit mendojnë se  një fëmijë me trupin e tij  deri në këtë moshë mund të mbajë një peshë në shumë prej 2.5 kilogramë.

 Ata ( ortopedët) shprehen se pesha aktuale e çantave të nxënësve mund të sjellë   lakime ( çrregullime) kurrizore, të cilat në mënyrë indirekte mund të ndikojnë edhe  në sistemin e frymëmarrjes, sistemin respirator dhe urogjential, varësisht a është forma e lakesës në anën e djathtë apo në anën e majtë.  Mjekët specialistë rekomandojnë që  prindërit të kenë më shumë kujdes dhe çantat e tyre mundësisht të jenë ortopedike, ose  të zgjedhin çanta që peshojnë më pak.

Prandaj, nuk duhet të habitemi që fëmijët tanë shpeshherë ankohen se kanë dhimbje në këmbë ose mbrapa në kurriz. Krejt kjo shkakton lodhje dhe plogështi te nxënësi.  Dhe,  kështu të lodhur, ata nuk janë në gjendje të përcjellin me vëmendje procesin mësimor. Kjo, natyrshëm,  ndikon shumë në mos suksesin e tyre. Ata janë pasiv gjatë mësimit. Nuk dëgjojnë dhe nuk shfaqin interesim  për mësim.

Për rreziqet që sjell në shëndetin e fëmijëve mbipesha e çantave të nxënësve, do të duhej të shqetësohemi të gjithë. Në radhë të parë prindërit, pastaj mësuesit dhe  edukatorët. Ky problem serioz do të duhej të jetë brengë ( shqetësim)  edhe për  Ministrinë e  Arsimit dhe për mbarë  shoqërinë.

Po, cila do të ishte zgjidhja?  Kur ende në shumicën e shkollave fillore, sidomos në zonat rurale,   nuk ka  dollapë, për  qëndrimin (ruajtjen) e materialeve të  nxënësve në dosjet e personalizuara!.  Kur ende nuk mund të flitet  për përdorimin në masë të laptopëve apo tabletëve tek nxënësit! Prandaj, shtrohet pyetja: kush duhet dhe çka duhet ndërmarr që të lehtësohet çanta e fëmijëve që bartin në shkollë?

Kjo  është e mundshme  të realizohet nëse ka vullnet dhe mirëkuptim, por duhet patjetër që të angazhohen Ministria e Arsimit, mësuesit dhe prindërit.  Mnistria e Arsimit  , nëpërmes ekspertëve, do të duhej sa më ngutësisht  të përparojë strategjinë e reformës së filluar  për të lehtësuar peshën e çantave shkollore që bartin nxënësit tanë të shkollave 9-vjeçare, por  dhe të  mesme. Këta janë ata të cilët mund të ndihmojnë që çanta shkollore e nxënësve të jetë sa më e lehtë, e sidomos për nxënësit e klasave të ulëta të shkollës fillore.

Derisa përgjegjësit e arsimit  mos të gjejnë zgjidhjen e çantave të rënda nxënësit duhet të vazhdojnë t’i bartin vetë çantat dhe kështu të rrezikojnë shëndetin e tyre, ose për bartjen e çantave të ndihmohen nga prindërit e tyre.

Share.