Gjeke Gjonaj: 37 – vjetori i tërmetit katasrofal të Ulqinit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Gjekë Gjonaj: Ditë e llahtarshme   plot trishtim e lemeri

 

Ishte ditë e dielë. Dita e parë e Pashkëve katolike. Ditë feste e pushimi. Një ditë e bukur pranvere. Papritmas tik-taku i orës u ndal në 7 e 20 minuta. Atë mëngjes , më 15 prill të vitit 1979,   një dridhje e fuqishme prej 7 ballëve  të shkallës Rihter dhe 9 ballësh të Merkalit e përshkoi Ulqinin legjendar me rrethinë. Pas  vetëm njëzet sekondash ç’me pa! Ulqinin mijëvjeçar, me ato rrugica të pastra, shtëpi   të vogla dhe të rregulluara bukur e kish mbuluar pluhuri në të katër anët.Asgjë s’mund të shikoje nga pluhuri i madh. Ditë e llahtarshme plot trishtim e lemeri.  Në ato çaste askush prej qytetarëve  se dinin se ç’po ndodh! Lëkundje e fuqishme e tokës! Humbje e ekuilibrit! Britma! Vaj! Vrapime! Ulurime e ofshama ! Trishtim ! Frikë e shqetësim!  Ankth e panikë! Kudo  shkatërrime. Rrëmujë. Gërmadha. Pa rrymë elektrike. Pa ujë të pijshëm. Asnjë dyqan nuk punon. Asgjë nuk funksionon. Çdo gjë është paralizuar.  Në ato çaste traumatike mijëra qytetarë të Komunës së Ulqinit , të cvilitur, të trishtuar dhe të zhytur thellë në mendime vërshonin turma-turma nëpër rrugët e qytetit dhe me vrap  ishin drejtuar drejtë më të afërmve të tyre që të mësojnë se ç’ndodhi me fatin e tyre. Në fytyrën e çdo qytetari pasqyrohej një huti e papërshkruar. Në ato çaste dëgjohej vetëm një  refren:  “A jeni gjallë – a jeni gjallë “!? Ndërsa askush nuk pyeste për rrënimin e ndërtesave  dhe dëmtimin e orendive shtëpiake.  Mijëra qytetarë pa kulm mbi kokë. Nën çadra. Në kampingje. Pa zemër në bark siç  thotë populli ynë. U shembën  ose u dëmtuan rëndë shumë objekte ndërtimi dhe shtëpi banimi. Tërmeti nuk kurseu as monumentet historike, muranat e lashta ilire dhe bedenet e qytetit.

 29 viktima

“ Nëna” natyrë kësaj herë u “ ç’mend”. Jo vetëm se nuk i mbrojti qytetarët e Ulqinit me rrethinë , por nëpërmjet fenomenit të tërmetit i rrezikoi  dhe i dëmtoi  ata, madje edhe  u mori jetën. Mediet e ndryshme vendore “ Pobjeda” e Podgoricës, “ Veçernje novosti” e Beogradit”, “ Vjesniku “ i Zagrebit, “ Tanjugu” i Jugosllavisë së atëhershme , RTV i Malit të Zi, RTV i Beogradit, “ Rilindja”  e Prishtinës e të tjera shtëpi informative ditën e dytë të kësaj katarstrofe natyrore  dhe në vazhdim raportojnë se numri i të vdekurve në këtë komunë është 20-28, kurse numri i të lënduarve arrinë në afro 200 veta. Nga  hulumtimet tona në terren , meqë çuditërisht Komuna e Ulqinit  e  Arkivi i qytetit, nuk i kishin këto të dhëna,  kemi evidentuar 29 viktima. Në rrënojat e Kalasë së Ulqinit gjetën vdekjen këta qytetarë: Jusuf Ahmet Elezaga ( 66 vjeç), kapidan Xhemal Idrizaga ( 50 vjeç), Feriha Hoxha Nimanbegu (43 vjeçe) dhe Agron Rexhep Goga ( 13 vjeç). Më shumë të vdekur ka patur në pjesën rurale të Komunës së Ulqinit.  Në fshatin Kllezën  gjetën vdekjen: Rabie Kurti ( 31 vjeçe), Adem Kurti ( 5 vjeç) Rexhep Kurti ( 5 vjeç), Sadete Kurti ( 3 vjeçe) Naser Kurti ( 3 vjeç) dhe Pal Nrekiq ( 13 vjeç). Në  Brajshë gjetën  vdekjen: Haxhi Avdia Sellaj ( 92 vjeç) dhe  Ramazan Kasneci ( 10 vjeç). Nga fshati Kaliman gjetën vdekjen Nurie Ibroçi ( 50 vjeçe). Në fshatin Reç gjeti vdekjen  Prënë Lushja,  në fshatin Salç Lulë Llukiq ( 65 vjece), në Zogaj  Rabie Ardoliq (60 vjeçe) , Nazmi Ardoliq ( 5 vjeç), Sllobodanka Radovanoviq (4 vjeçe), Zorka Vuceviq (54 vjeç e),   në Kollomzë Mark  Llukiq (74 vjeç) e Angja Nilloviq (72 vjeç), kurse në Pistullë Gjon Pepgjonoviq.  Përveç këtyre, bazuar  në  Arkiviin e  TVMZ, që mban datë 16 prill 1979,   viktima të  kësaj stihie natyrore kanë qenë  edhe  Dilaver Kraja, Isuf Elezagiq, Velisha  Sekuliq,  Rukije Haxhoviq, Nazmije Haxhoviq dhe Nurije Nikoçeviq.

Solidariteti njerëzor

 

Tërmeti katastrofal i Ulqinit dhe i viseve tjera bregdetare të Malit të Zi  ka “goditur” edhe ndërgjegjen e mbarë  njerëzimit. Me urdhërin e presidentit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë Josip Broz Titos, i cili më 15 prill të vitit 1979 ndodhej në Igallo,  të gjitha ish – republikat dhe krahinat autonome menjëherë organizuan mbledhjen e ndihmave të para për qytetarët e Ulqinit dhe qyteteve tjera bregdetare të Malit të Zi. Fatmirësisht për shkatërrimet që la pas tërmeti katastrofal shpejt u përhap informacioni në opinionin botëror nga  Kolombo, Havana, Praga, Varshava, Gjeneva, Brukseli, Stokholmi, Nju-Jorku, Londra, Tokio, Gjeneva, Lisbona e qytete tjera të botës,  dhe u ngjall  humaniteti në një shkallë të papaparë deri atëherë. U rikthye optimizmi dhe shpresa në  qytetin e Ulqinit.

Ky lloj solidariteti, bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe bashkë-ndjenje zgjohet, aktivohet dhe vjen në Ulqin edhe nga shumë shtete të botës,   Organizata e Kombeve të Bashkuara, UNESKO, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar e organizata tjera ndërkombëtare humanitare. Shumnë shtete të botës me dashuri dhe besim të madh ndihmuan në ndërtimin e Ulqinit  të ri, i cili mbeti një simbol i sakrificës njerëzore, humanitetit dhe solidaritetit.

 Rindërtimi – zhgënjimi

Kjo dramë me pasoja  tragjike  bëri që shumë vende të botës të  soliradizohen dhe të dërgojnë  ndihma për rindërtimin e Ulqinit.  Për fat të keq  këto ndihma nuk u shfrytëzuan  në masën e duhur dhe në formën e duhur. Ulqini pas këtij tërmeti u rindërtua, por jo duke respektuar arkitekturën e vjetër të qytetit, por në masë të madhe sipas vullnetit të qytetarëve.  Për pasojë sot Ulqini ka humbur imazhin e tij të dikurshëm dhe vështirë  se mund ta kthejë shkëlqimin e tij të mëparshëm. Asokohe Ulqinin e shkatërroi katastrofa e madhe natyrore, ndërsa  më vonë ky qytet u masakrua nga dora e vet qytetarëve të tij. Me gjithë ndryshimet e shumta që ka pësuar Ulqini gjatë 37 vitete të kaluara e them me keqardhje se nuk mund të thuhet se është qytet modern , e  as që mund të  numërohet  në mesin e qyteteve të bukura të  Bregdetiti Adriatik. Mungon shumëçka në këtë qytet që do të dëshmonin se këtu jetohet sipas mënyrës evropiane.

Zonë  seizmikisht jostabile 

Ndryshe Ulqini është zonë seizmikisht jostabile e cila jo rrallë herë është goditur nga tërmete të fuqishme dhe mbetet si vend i rrezikuar nga dridhjet e shpeshta të  tokës. Në kronikat  e kohës   ka mbetur e shënuar se tërmeti më i fuqishëm ka ndodhur  në Ulqin  në vitin 344 të erës së re, i cili supozohet të ketë qenë prej 12 ballësh të Merkalit.  Për këtë arsye qytetarët e Ulqinit me të drejtë ndjehen të pasigurt  dhe të frikësuar se çfarë mund të sjellë jo vetëm e nesërmja, por edhe e sotmja. “Kë djeg tamli ( qumështi ) e frynë kosin”- thotë  një proverb yni popullor.

Shënimi i 40 vjetorit

Edhe tri vjet   do të mbushen katër  dekada nga tërmeti katasrofal  i Ulqinit. Autoritetet vendore do të ishte mirë  të mendojnë për  shënimin e 4o vjetorit të kësaj tragjedie e cila mori shumë jetë njerëzish, shumë të tjerë u lënduan, mbetën  pa kulm e strehë  mbi kokë dhe shkatërroi një numër të madh objektesh private e publike.

Share.