Gj. Gjonaj: Në fshatin Muzheçk të Trieshit jeton vetëm një familje

0

Jeta ku të duket se po të ha mali dhe të mbyt heshtja

Gjekë Gjonaj

Fshatrat shqiptare në Mal të  Zi  dita ditës po zbrazen gjithnjë e më shumë.  Ato  pothuaj kanë mbetur në mëshirën e fatit sepse  mungon përkujdesja institucionale  që  shqiptarët  të  mund të  jetojnë me dinjitet dhe me kushte elementare të jetesës në trojet e veta etnike.   Kushtet e rënda ekonomike  janë faktori kryesor , por edhe  shumë të tjerë, që kanë ndikuar  që  shumica e  shqiptarëve të lëshojnë shtëpitë e tyre në kërkim të një jete më të mirë. Apo siç thotë populli ynë për një kafshatë bukë goje , mbase askush nuk   ik prej së mirës por prej  të keqes. Fshatra të tilla shqiptare  të baraktisura për fat të keq ka shumë. Në mesin e tyre  bën pjesë edhe   Muzheçku i Trieshit, një vendbanim i vogël malor i Komunës së Tuzit, 20 kilometra nga Podgorica, kryeqyteti i Malit të Zi. Deri atje shkohet rrugës pjesërisht të asfaltuar, me shumë kthesa.  Po të hyjë njeriu për herë të parë në këtë fshat, do të jetë i fascinuar ( mrekulluar) me  një peisazh të mahnitshëm. Por gjithë kjo bukuri natyrore, ndonëse ia dinin vlerën,  nuk mjaftoi  që banorët e këtij fshati të vazhdojnë të jetojnë këtu. Gati të gjithë banorët  u shpërngulën me mendimin se jashtë vendlindjes  do t’i presë “mrekullia”, por me dëshirën e madhe që një ditë përsëri do të kthehen. Muzheshjani i parë  që i  la vatrat e tyre strëgjyshorë dhe përqafoi kontinentin ( tokën) e panjohur të Australisë  në vitin 1958 ishte  Pjetër ( Tush) Prëla Nikollaj.

Muzheçku para katër dekadash   kishte  dhjetë shtëpi të banuara,  me afro 95 banorë, të cilat i mbaj mend edhe unë.  Familja më e vogël ishte 5- anëtarëshe, ndërsa më e madhe 15- anëtarëshe. Jetesa mes tri vëllazërive Gjokaj, Gjolaj dhe Nikollaj nuk ishte e lehtë. Tokë buke, apo gropëza siç i quanin vendasit,  ku mbjellnin kryesisht patate, lakra qepë e kallamboq kishte pak. Nuk kishte rrugë të asfaltuar. As ujë për pije. As  korrent elektrik.  As shumëçka tjetër për një jetë  pa shumë halle e brenga.  Blektoria dhe bujqësia ishin veprimtaritë e vetme ekonomike. Megjithatë vitet e skamjes banorët e këtushëm i mbajnë mend  edhe për të mirë. Ajo që i mbante gjallë këta banorë gjithsesi ishte bashkëjetesa, harmonia, marrëveshja, respekti , dashuria  e sinqertë dhe puna e përbashkët. Këto dhe virtyte të tjera të këtyre banorëve i bënin ata të fortë, qëndrestarë, , besnik, fisnik , mikpritës e të ndershëm. Me një fjalë ishin njerëz ( burra, gra,  fëmijë e pleq ) të mirë. Dhe, kjo ishte  një vlerë, apo medalja më e lartë  dhe më e rëndësishme  e tyre  e trashëguar me shekuj e  cila mbijetoi  bashkë me malet përreth .  Kushdo që ka shtegtuar  apo ka qëndruar këtu madje edhe disa orë i kanë vlerësuar banorët  e këtushëm , doket dhe zakonet e tyre, që janë vlera  të padiskutueshme  që pak kush i ka, siç i kanë shqiptarët në përgjithësi.         

Migrimi dhe emigrimi këtu dallon nga fshtatrat e tjera të Trieshit. Banorët nga aty më shumë u larguan pas viteve  ‘90-të, duke i lënë shtëpitë bosh dhe arat djerrinë. Bukuritë natyrore të këtij fshati tash 20 vite  po i gëzojnë vetëm pesë banorë të mbetur, familja e Nikollë Gjergjit Nikollaj. Të tjerët kanë shkuar në Amerikë, Australi, Gjermani dhe Tuz.

Nikolla me bashkëshorten  Dritën, djemtë Kolën 17 vjeç e Robertin 13 vjeç  dhe vajzën Teutën 15 vjeç janë banorët e vetëm të këtij fshati malor, të cilët jetojnë  të vetmuar në shtëpinë e bukur dykatëshe të  ndërtuar prej guri në qendër të fshatit, e cila dikur numëronte 15 anëtarë. Ai edhe pse si fëmjë ishte mësuar që familja e tij të kishte shumë miq, fqinj , të shkëmbehen me njerëz në rrugë e të jetojnë pranë familjarëve  të vet,  tani dikush ka preferuar  të jetë  kryefamiljari i vetëm i shtëpisë së njohur të Kolë Dedë Nikollajt     për norma të qëndrueshme morale e shoqërore , të cilat nuk u braktisën asnjëherë deri më tani, por përkundrazi po shtohen dhe vazhdohen nga brezi në brez.

“ Në këtë  fshat nuk jeton askush tjetër përveç familjes sime. Djali i madh dhe vajza ndjekin mësimin në gjimnazin e Tuzit. Ata çdo ditë udhëtojnë për në Tuz dhe anasjelltas me fugonin që ua ka siguruar falas Ministria e Arsimit të Malit të Zi. Ndërka, djali i vogël  është në klasën e tetë të shkollës  nëntëvjeçare në Stjepoh-Triesh. Jeta vetëm  nuk është e lehtë.  Nuk ndihet kurrfarë gjallërie. S’ka zhurmë të njerëzve siç ishte përpara. Tani s’ka lojëra fëmijësh. Nuk ka as dasma, as kope dhënësh.  Ndodh shpesh që në fshat për dy javë nuk takoj njeri përveç anëtarëve të familjes. Më  duket sikur  po na ha mali.” thotë Nikolla. Shton se tani cilësia  e jetesës është  përmirësuar, mirëpo   njerëzit janë larguar, e nuk e di se kur do të kthehen. Ka frikë se edhe përkundër  përmirësimit të pjesshëm të jetesës  që ka pësuar Muzheçku , ai është buzë mbetjes pa asnjë banor, për shkak të mospasjes  së infrastrukturës bazë  dhe mundësive për punësim.  pasojë e mungesësë së perspektivës për banorët e tij. E këtyre banorëve u duhet uji i pijshëm, rruga e asfaltuar, transporti i organizuar, vendet e punës.

Këtë fshat, sikurse të gjithë të tjerët,  mund ta shpëtojnë nga zbrazja vetëm autoritetet vendore dhe qëndrore përmes vëndosjes së sistemit për zhvillimin rajonal të barabartë, ku shteti do të investojnë në mjediset rurale dhe jo vetëm në krejt  hapësirën gjeografike të Malit të Zi. Pra, pushteti  komunal dhe qeveria republikane duhet të interesohen që këtë fshat të bukur , dhe jo vetëm  ta rikthejnë në jetë. Në këtë rrugë institucionet vendore e qendrore (shteti) do të ndihmohen nga mërgimtarët  e fshatit. Ata, siç na thanë, janë të gatshëm gjithmonë të investojnë në vendlindjen e tyre.  Duan me gjithë mendje e shpirt  ta ndryshojnë Muzheçkun. Ta bëjnë më të bukur e më me ardhmëri.  Me shtëpi të reja.  Me ujë të pijshëm. Me rrugë e rrugica të zbukuruara,  të asfaltuara e të ndriçuara, ku të rinjtë të kenë mundësi të punësohen e të jetojnë nga djersa e mundi i tyre.  Mërgimtarët e Muzheçkut me paratë e tyre  në rrënojat e shtëpive stërgjyshore kanë filluar ndërtimin e shtëpiave   të reja, sanimin apo meremetimin e shtëpiave  të vjetra, rregullimin e Kronit të Qavzës,  shtrimin  me zhavor të rrugicave të fshatit, ndërtimin e prijave  të reja prej guri dhe  pastrimin e lamës  në qendër të fshatit. Të gjitha këto e investime tjera të përbashkëta të këtyre mërgimtarëve, që shpeshë verës e vizitojnë vendin e të parëve,  i kanë dhënë  edhe më shumë   hijeshi  fshatit, të cilin   vazhdon ta mbysë  heshtja bashkë me  familjen e vetme  Nikollaj.

Është ky një shembull i mirë i bamirësisë, i dashurisë, pasionit e misionit  të shenjtë të  këtyre mrëgimtarëve kompakt, që shkojnë  shumë mirë me njëri tjetrin, sikur të ishin familjarizuar , për rregullimin dhe përparimin e vendlindjes së tyre që e mbajnë përherë në zemër. Mbështetja e tyre  për vendlindjen thonë nuk do të mungojë kurrë. Dhe s’ka se si të jetë ndryshe. Kur atje kanë lindur, janë rritur dhe brumosur me tharmin shqiptar. Edhe fëmijët e vet i  mësojnë  që ta duan vendin e tyre të origjinës, ashtu siç duan ata për të mos  harruar nga i kanë rrënjët. Ata e duan vendlindjen dhe s’duan që fëmijët e tyre të mos e duan atë.

Share.