Forca kritikon shtyrjen e mbledhjes së Kuvendit: “Qytetin po e çojnë në greminë, zgjedhjet i vetmi opsion”

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Forca e Re Demokratike përmes një kumtese për media përsëri ka kritikuar veprimet e shumicës aktuale që qeveris Komunën e Ulqinit. Arsye për këtë është shtyrja e radhës e mbledhjes së Kuvendit Komunal, e cila ishte planifikuar të mbahej ditën e sotme. Kjo, sipas këtij subjekti politik, po bëhet normë e qeverisjes aktuale, dhe përpara po çojnë vetëm ato që kanë të bëjnë me interesat e tyre, kurse problemet po i shtyjnë nën tapet.

“Kështu po i shtyjnë ditët e një pushteti i cili nuk di të legalizojë dhënien në shfrytëzim të një hapësire Qendrës Sirena nga Qendra për Kulturë, por di bukur mirë që individëve të tjerë, mu afër këtyre dy objekteve, t’i japë truall për të shtrirë tarracën, apo hapur lokal. Kështu shtynë ditët administrata me sekretarë që nuk dinë të mbrojnë asnjë pikë të Kuvendit e që nuk din të realizojnë projektet madhore kapitale në infrastrukturën e qytetit për të cilat mjetet financiare  presin në bankë.  Kështu shtyjnë edhe agoninë e ndërmarrjeve publike. Njëra është e paregjistruar, tjetra nuk jep rroga që 15 muaj. Njëra nuk jep raporte pune, por paguhet nga Komuna përtej buxhetit përpara zgjedhjeve. Ama të gjitha janë të zhytura në borxhe dhe këshillat drejtuese të atyre ndërmarrje sillen sikur ata nuk janë përgjegjës për to.   Tani kanë filluar luftën se kush do të udhëheq edhe mediat publike pavarësia e të cilave mbrohet nga ligji dhe monitorohet nga Bashkimi Evropian. Është e qartë se ky pushtet lokal është duke e çuar Komunën  e Ulqinit drejt greminës dhe për këtë arsye përsëri ju ftojmë që të shkurtojmë mandatin e Kuvendit të Ulqinit dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. “, thuhet ndër të tjera në kumtesën e Forcës.

 

Share.