Fillon gjykimi për vrasjen e mësueses Stana Bozhoviq

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pranë Gjykatës së Lartë në Podgoricë ka filluar gjykimi për vrasjen e mësueses Stana Bozhoviq, që ndodhi në shtator të vitit të kaluar në Ulqin. Goran Gjurishiq, lulishtar po nga Ulqini, është i dyshuari kryesor si nxitës i aktit ku shtetasi i Shqipërisë Ardian Pjetri dhe dy të mitur të tjerë, fillimisht dhunuan fizikisht mësuesën Stana Bozhoviq, e pastaj e plaçkitën.

Si pasojë e dhunës fizike Bozhoviq ndërroi jetë, kurse disa ditë më vonë u arrestua edhe Gjurishiq, pas të dhënave të siguruara nga policia shqiptare. Gjurishiq në mbrojtje të tij tha se është i pafajshëm dhe nuk ka të bëjë me vrasjen e mësueses. Ai tha se shtetasit shqiptar punonin në lulishten e tij, dhe se nuk ka dijeni për veprimet e tyre gjatë kohës që kanë qëndruar në Ulqin.

Sipas dyshimeve të Prokurorisë, arsyeja e vrasjes ishte përfitimi, pasi Gjurishiq besonte se mësuesja në shtëpinë e saj ka një shumë të madhe të hollash nga shitja e pronës disa muaj para vrasjes.

Share.