Ashtu si edhe në rastin e Deçiq, Federata ende pa sanksionime ndaj tifozëve për thirrje homofobike

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Lidhur me thirrjet fyese ndaj zv.kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, të dëgjuara nga një grup i tifozëve në ndeshjen Mali i Zi-Letoni, ka reaguar edhe Federata e Futbollit, e cila e ka dënuar aktin në fjalë. Në deklaratë ndër të tjera thuhet se një gjest i tillë ndodh për herë të parë në ndeshjet e kombëtares , të cilat asnjëherë nuk kanë qenë poligon për shprehje të qëndrimeve politike individuale apo fyerjen e komuniteteve të caktuara.

Federata thotë se në ndeshjet e kombëtares, pa marrë parasysh nëse janë luajtur brenda apo jashtë,  gjithmonë janë dëgjuar vetëm thirrje inkurajuese për kombëtaren dhe lojtarët e saj, dhe shprehin besimin se kjo do të ndodh edhe në të ardhmen. “Ne sinqerisht besojmë se në të ardhmen në ndeshjet e kombëtares, nga tifozët në stadiume  do të dëgjohen vetëm këngët e dashurisë për atdheun dhe mbështetje për lojtarët , dhe jo shprehjet e  pikëpamjeve politike, fyerjet e individëve apo komunitetit LGBT.”-thuhet në reagim.

Duhet cekur se reagimi i Federatës erdhi vetëm pas kërkesës nga TV Teuta për një prononcim lidhur me ngjarjen. Në pyetjen shtesë lidhur me sanksinomet eventuale ndaj tifozëve në fjalë, deri në orët e vona nuk kemi marrë përgjigje.

Edhe pse ky mund të jetë incidenti i parë në ndeshjet e kombëtares së Malit të Zi, kjo nuk vlen për ndeshjet e klubeve. Rasti më i fundit është ndeshja në finalen e Kupës së Malit të Zi mes skuadrave të Buduqnost të Podgoricës dhe Deçiq të Tuzit, luajtur më 30 maj të këtij viti, në të cilën tifozët e skuadrës nga Podgorica hodhën parulla fyese për shqiptarët. Organizatori në këtë rast kërcënoi me ndërprerjen e ndeshjes nëse thirrjet vazhdojnë, çka solli qetësimin e situatës. Edhe në këtë rast, ashtu edhe në rastin e fundit, Federata nuk ka njoftuar për sanksionime eventuale ndaj tifozëve.

Sipas rregulloreve së FIFA-s dhe UEFA-s, thirrjet raciste dhe homofobike të tifozëve në stadiume, parashikojnë dënime që shkojnë nga përjashtimi nga stadiumi për një kohë të caktuar apo permanente, por edhe mundësi të arrestimit të tifozëve të identifikuar, kurse organizatori me pezullim të stadiumit për numër të caktuar të ndeshjeve.

Share.