Dy qeveritë takohen në Tiranë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Sot Tirana ishte mikpritëse e mbledhjes së dytë të përbashkët të Qeverisë Shqiptare dhe asaj të Kosovës.
Kryeministria shqiptare ka zgjedhur si moto të kësaj mbledhjeje tre fjalë: “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr”. Holli i Pallatit të Kongreseve ishte i ndarë në 3 pjëse, ku bie në sy tryeza në formë rrethore me ngjyrë blu, mbi të cilën janë vendosur flamujt e BE-së, ku u  nënshkruan 11  protokolle të bashkëpunimit reciprok.

 Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se po fillojnë t’i zgjidhin problemet që i kanë preokupuar qytetarët e të dyja vendeve dhe bizneset.

Mustafa po ashtu përmendi të gjitha nënshkrimet që u bënë sot.

“Sot nënshkruam 5 marrëveshje, katër memorandume, dy protokolle dhe një deklaratë të përbashkët. E konsiderojmë të veçantë nënshkrimin e marrëveshjes në fushën e sigurisë dhe të punëve të brendshme. Në fushën e ekonomisë që të përfitojnë të dyja palët”, ka thënë ai.

Nderkaq, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Isa Mustafa ka thënë se me marrëveshjet që u nënshkruan sot po dëshmohet bashkimi mes dy shteteve.

“Me këtë dua të them se ky është bashkimi ynë kombëtar nëpërmes Bashkimit Evropian”, tha Rama në konferencën me gazetarë pas nënshkrimit të 11 marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri.

Rama tha se marrëveshjet e nënshkruara mbulojnë sektorët e sigurisë, kulturës dhe bujqësisë.

Kryeministri Rama premtoi se gjatë kësaj vere shqiptarët e Kosovës nuk do presin në radhë nëpër pikat kufitare por aty do të bëhet një kontroll formal sipas Ramës si në kufijtë e BE-së.

Marrëveshje e rëndësisë të veçantë Rama e konsideron marrëveshje për unifikim të sistemit arsimor e që sipas tij është një angazhim themelor në rrugën e bashkimit të forcave të institucioneve arsimorë për të funksionuar si një forcë e vetme e një populli në rrugën e integrimit në BE.

Kryeministri Rama tha se së shpejti do të hapet konsullata e përbashkët në Milano të Italisë dhe me këtë dy shtetet po unifikojnë përpjekjet diplomatike.

Sipas tij marrëveshjet i administrojnë dy shtetet por aspiratat dhe interesat janë të përbashkëta.

 

Share.