Dr Safedin Beqaj:  35 milion vaksina do të jetë gati në dhjetor,  zbatoni udhëzimet mjekësore

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Covid 19  apo korona virusi, një luftë globale e cila e ndërroi sistemin e jetës në pothuajse tërë botën që nga fillimi i vitit 2020. Shumë shkencëtarë botërorë kanë bërë hulumtime  të ndryshme shkencore mbi rrezikshmërinë, masat mbrojtëse si preventivë dhe vaksinimin kundër korona virusit. Pikërisht me të gjitha këto çështje që nga fillimi i Covid 19, është marrë edhe bashkëvendasi ynë nga Malësia i cili jeton dhe punon në Kaliforni, Dr. Safedin Beqaj i cili është doktor i shkencave patologjike (me specializim ne patologjine molekulare dhe gjenetike) dhe i cili është  drejtor në laboratorijumin Ultimate DX dhe laboratoriumit klinik virusal në Los Angjelos.

Dr Beqaj dha një intervistë për Tv Teuta ku foli mbi situatën aktuale globale të virusit duke dhënë shpresa se vakcina për koronavirusin do të jetë  gati në dhjetor.  Njëkohësisht ai apelon te qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të përdorin masat mbrojtëse dhe të vakcinohen me vakcinat aktuale kundër gripit sezonal sepse ajo u ndihmon shumë njerëzve e sidomos moshës mbi  55 vjet.

Laboratorijumi Ultimate DX, drejtor i të cilit është Dr Safedin Beqaj, është aprovuar nga FDI-Agjensioni rregullativ për aprovimin e testeve me datën 10 prill 2020, dhe është laboratorijumi i dytë në SHBA i cili e ka fituar lejën për të bërë testimet e Covid 19. Që nga prilli e deri më tani kanë bërë mbi 160 mijë teste dhe Dr Beqaj thot se ekipi i këtij laboratorijumi është pjesë e shërbimeve operative në Kaliforni për të testuar dhe për të ndihmuar popullatën atje, kurse ai përsonalisht ishte pjesë e ekipit për sugjerimin dhe krijimin e procedurës se si duhet të bëhet kolektimi i mostrave dhe testimi.

“Kemi arritur që për një natë të bëjmë 4000 mijë teste, kurse laboratorijumi mund të bëjë edhe deri në 10 mijë teste në natë”, tha Dr Beqaj.

Ai poashtu thekson se pritja e rezultateve te testeve më shumë se tri ditë, është e pavlefshme sepse sipas tij, pas atyre tri ditëve personi ka mundësi që përsëri të infektohet diku.

Sa i përket vakcinave,  Dr Beqaj thotë se në SHBA aktualisht janë 4 kompani të cilat po punojnë në prodhimin e vakcinës dhe pritet që në dhjetor të kemi vakcinat e para, ku dy nga kompanitë do të kenë në prodhim 35 milion ampula për shtetasit e SHBA-ve dhe në fazën e parë të vakcinimit do të jenë punonjësit shëndetësorë dhe pacientët me sëmundje të rrezikut të lartë.

“Një gjë është shumë me rëndësi dhe do të doja ti udhëzoj njerëzit që të marrin vaksinën e gripit sepse tani është sezoni i gripit dhe simptomat janë të ngjashme dhe është me rëndësi të merret vaksina e gripit sepse në rend të parë ajo tregon se e ke anuluar mundësinë e infektimit me gripin sezonal dhe është shumë më lehtë që mjeku të dallojë se a e keni gripin apo Covidin. Këtë vaksinë përveç punonjësve mjekësorë është shumë mirë ti bëjnë edhe njerëzit me sëmundje të rrezikut të lartë dhe personat mbi 55 vjet”, rekomandon doktor Safedin Beqaj.

Ai poashtu shtoi se vaksina po vjen por deri atëherë duhet ti ndalojmë konsekuencat e mundshme. Duhet të mbrohemi me masat e parashikuara nga mjekët: maska, distanca dhe larja e duarve.  Edhe pse është bërë shumë kohë, duhet të kujdesemi dhe të durojmë edhe disa muaj.

Share.