Dr.Knezheviq: Papërgjegjësia kolektive, fajtore për rritjen e infeksioneve në Ulqin

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Vetëm disa javë më parë, situata epidemiologjike në Ulqin ishte pothuajse plotësisht nën kontroll. Por, mosrespektimit i masave ka bërë që situata dy javët e fundit të bëhet mjaft shqetësuese. Epidemiologu i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, Dr. Miro Knezheviq, thotë se gjendja është serioze pasi çdo ditë regjistrohen më shumë se dhjetë të infektuar , çka thotë ai ka filluar edhe para eskursionit të nxënsëve.

Knezheviq: “Unë nuk do ta lidhja atë vetëm me ekskursionin, një ose dy ditë më parë kishte një rritje të numrit të pacientëve, por është e qartë se ekskursioni kontribuoi edhe më shumë.”

Megjithëse ka të infektuar të moshës së re,  në përgjithësi mbizotërojnë pacientë të moshës së dytë dhe të tretë, të cilët shpesh janë raste më të rënda dhe që trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm në Tivar. Ditët e fundit në Ulqin, ka pasur një rritje të numrit të vdekjeve, ndërsa në disa raste kishte edhe më shumë se një rast në të njëjtën familje.

Knezheviq: “Ka edhe persona të moshës së re që kanë probleme me këtë sëmundje, dhe nuk duhet bazuar në atë se rreziku është i lartë vetëm për të moshuarit. Çfarëdo masash që autoritetet kompetente të marrin në periudhën e ardhshme, ato do të jenë të kota nëse qytetarët nuk u përmbahen dhe këtë duhet gjithmonë ta kemi parasysh.”

Në Mal të Zi duket se deri tek rritja e rasteve, përveç mungesës së përgjegjësisë,  ka kontribuar edhe prezenca e variantit britanik. Gjendja është kritike sidomos në qytetin e Budvës, kurse dalngadalë edhe në Ulqin numri i infektimeve aktive po i afrohet numrit 300.

Share.