Detyrat e vështira të Bidenit në turneun evropian

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden sot u nis për Evropë, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit.

Turneu i tij tetëditor përfshin një sërë takimesh në kuadër të samitit të G7-s, pastaj bisedime me partnerët evropianë dhe të NATO-s, si dhe një takim ballë për ballë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Përmirësimi i raporteve transatlantike dhe diskutimi i mosmarrëveshjeve me Rusinë pritet të jenë çështjet kyç të kësaj vizite.

Udhëtimi shihet edhe si një provë e aftësisë së presidentit Biden për të menaxhuar dhe përmirësuar raportet me aleatët kyç të SHBA-së, të dëmtuara ndjeshëm gjatë udhëheqjes së paraardhësit të tij, Donald Trump, i cili e kishte tërhequr SHBA-në nga traktatet ndërkombëtare dhe kishte vendosur tarifa tregtare ndaj aleatëve.

Presidenti Biden në një opinion të publikuar në Washington Post, para nisjes për në Evropë ka thënë:

“A do të dëshmojnë institucionet, aleancat demokratike aftësinë e tyre kundër kërcënimeve dhe kundërshtarëve të ditëve moderne? Unë besoj se përgjigjja është po. Dhe këtë javë në Evropë, ne kemi mundësinë ta dëshmojmë atë”.

 

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan u tha gazetarëve se Biden shpresonte që takimet e tij të G7-s dhe NATO-s do të forcojnë një ndjenjë të unitetit mes aleatëve para takimit të tij me Putinin
“Në samitin e SHBA-BE, presidenti dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të fokusohen në përafrimin e pikëpamjeve ndaj tregtisë dhe teknologjisë në mënyrë që demokracitë dhe jo dikush tjetër, Kina ose autokracitë e tjera, të diktojnë rregullat për tregtinë dhe teknologjinë në këtë shekull”, ka thënë Sullivan.

Biden do të bëjë ndalesën e tij të parë në fshatin bregdetar të Shën Ives në Kornuall të Mbretërisë së Bashkuar, ku ai do të marrë pjesë në samitin e G7-s

Në këtë takim do të diskutohet për pandeminë e koronavirusit, tregtinë, çështjet klimatike dhe një iniciativë për rindërtimin e infrastrukturës në botën në zhvillim.
Zyrtarët amerikanë e shohin këtë si një përpjekje për të kundërshtuar rritjen e ndikimit të Kinës.

Share.